Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është i bindur se nuk do të ketë probleme në ratifikimin e marrëveshjes me Serbinë, të enjten në Kuvendin e Kosovës.

Në mbledhjen e qeverisë, Thaçi bëri të ditur se liderët e partive politike janë pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve më datë 3 nëntor, një datë kjo e caktuar fillimisht në takimin Thaçi-Daçiç në Bruksel.

Kryeministri shtoi se pajtimi është arritur në një takim të përbashkët të zhvilluar të martën me liderët e partive politike, me përjashtim të Vetëvendosjes.

“Jemi dakorduar gjatë këtij takimi që, ashtu siç kemi qenë unik në qëndrimin në rastin e aprovimit të kësaj marrëveshjeje, ta ratifikojmë atë nesër. Kjo marrëveshje lidhet drejtpërdrejt me perspektivën evropiane të Kosovës”, tha Thaçi.

Gjatë mbledhjes, kabineti qeveritar dha 100 mijë euro për funksionimin e misionit të Republikës së Kosovës në Republikën e Serbisë, ndonëse propozimi ishte që të ndaheshin 560 mijë euro.

Nga ana tjetër, lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar kundërshtimin e marrëveshjes nëpërmjet protestës. Ky subjekt politik ka ftuar qytetarët që të dalin të enjten në protestë duke filluar nga ora 09:00.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta