Swoboda: Qeveria e re, luftë korrupsionit

26/06/2013 00:00

Socialistët dhe Demokratët evropianë përgëzuan fitoren e thellë të së majtës shqiptare.

“Përgëzoj Edi Ramën dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë, si dhe Ilir Metën dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim për fitoren e tyre të qartë zgjedhore. Së bashku, ata i ofruan popullit shqiptar një zgjedhje të vërtetë. Kam besim se kjo qeveri e re progresiste do të ndeshet me sfidat me të cilat përballet Shqipëria, posaçërisht me korrupsionin, që vijon të mbetet i gjithështrirë, si dhe me vështirësitë ekonomike”, tha Hannes Swoboda, kreu i S&D në PE.

Swoboda inkurajon qeverinë e ardhshme të vijojë rrugën e integrimit evropian dhe vlerëson se është koha që Shqipëria të pranohet si vend kandidat, që të mund të nisë punën për shndërrimin evropian të vendit.

“Shpreh keqardhjen për vdekjen e një aktivisti politik në ditën e zgjedhjeve. Edhe kësaj here procesi zgjedhor u errësua nga parregullsitë, përfshirë nje Komision të paqëndrueshëm zgjedhor. Procesi zgjedhor është përmirësuar shumë nga ato të kaluarit, por nuk përputhet ende plotësisht me standardet evropiane”, tha Swoboda.

Libor Rouçek, zëvendës president i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamantin Evropian, thotë se shpreson të shohë pas fitores të PS-së dhe LSI-së një bashkëpunim të ngushtë me opozitën për t’i siguruar Shipërisë marrjen pa vonesa të statusit kandidat.

Pergatiti: Ernest Bunguri

Top Channel