
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, nëpërmjet një deklarate për median mbrëmjen e së mërkurës ka përgëzuar qytetarët e Shqipërisë, të cilët morën pjesë masivisht në zgjedhjet kombëtare të 23 qershorit 2013, për të riafirmuar përkushtimin e tyre ndaj të ardhmes demokratike të Shqipërisë.
“Me përfundimin së afërmi të numërimit, nxisim institucionet zgjedhore të çertifikojnë me shpejtësi zgjedhjet dhe të konfirmojnë vullnetin e popullit shqiptar”, theksohet ne deklratë.
Pas formimit të një qeverie të re, vijon deklarata, nxisim udhëheqësit dhe zyrtarët shqiptarë që të riangazhohen ndaj proçesit të integrimit europian dhe reformave të tjera që nevojiten.
Ambasada amerikane jep këtë vlerësim për zgjedhjet e 23 qeshorit: “Ndonëse pjesa më e madhe e votimit në ditën e zgjedhjeve dhe numërimi që pasoi u zhvilluan në mënyrë të rregullt, pati disa akte të pafalshme dhune që njollosën frymën e zgjedhjeve”.
“Qytetarët shqiptarë nuk kanë pse ta përjetojnë diçka të tillë. Ata meritojnë të hedhin votën e tyre dhe që ajo të numërohet në një mjedis të sigurt, të lirë nga kërcënimet dhe shtrëngimet”, vijon vlerësimi.
Në fund të deklaratës ambasada amerikane falënderon kryeministrin në largim Sali Berisha, duke vlerësuar mbështetjen e tij konseguente për marrëdhënie të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Top Channel