Pack: E majta, shans për të qeverisur

26/06/2013 00:00

Eurodeputetja Doris Pack e quan fitoren e Aleancës së Majtë një goditje për politikanët që kanë qeverisur deri tani.

“Votuesit kanë dhënë votën për të majtët dhe tani është koha që ata të dëshmojnë se sa janë në gjendje t’u përgjigjen premtimeve të tyre dhe të qeverisin në respekt të votës së zgjedhësve. Pra, të shohim në vitet në vijim se sa ata mund të bëjnë më mirë ose jo në qeverisjen e vendit. Tani ata kanë shansin që në muajt dhe vitet e ardhshme të tregojnë se çfarë janë në gjendje të bëjnë. Ata më herët kanë premtuar shumë dhe ne jemi në pritje me shpresë se premtimet e tyre do të bëhën realitet”, ka thënë Pack.

Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Pack ka deklaruar se tani ajo që mbetet për të parë është qeveria e re dhe se çdo sukses i saj i përket vendit dhe popullit.

“Ky është interesi im për këto zgjedhje dhe qeverisjen e re. Kjo parti fituese tashmë ka një shans për të qeverisiur dhe ne do të shohim se sa kjo parti do ta shfrytëzojë këtë shans”, ka vijuar Pack.

Eurodeputetja Pack tha se kjo qeveri bashkë me opozitën e kanë në dorë ta shkurtojnë apo ta zgjasin rrugën për në BE, sepse me qeverinë e kaluar dhe opozitën e kaluar patëm një përvojë jo të mirë.

“Partia Socialiste ka një shumicë të madhe së bashku me partitë e tjera të koalicionit për të bërë një politikë europiane në interes të popullit të Shqipërisë. Duke pasur shumicën, ajo e ka më të lehtë për të realizuar shumë gjëra që janë në interes të popullit dhe nëse nuk e shfrytëzon këtë, atëherë me siguri që do të ketë shumë kritika”, ka nënvizuar Pack.

Ajo u shpreh e gëzuar që këto zgjedhje në pjesën më të madhe kaluan shumë mirë, duke shpresuar që pas një kohe të vështirë mes mazhorancës dhe opozitës do të ketë një vullnet të përbashkët në rrugën e integrimit europian.

Top Channel