Mediu: Humbja është edhe për PR

26/06/2013 00:00

Në studion e emisionit “Shqipëria Vendos” ka qenë mbrëmjen e së mërkurës kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, një nga aleatët e koalicionit të djathtë, “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, e cila doli e humbur nga zgjedhjet e qershorit 2013.

Në komentet e tij, Mediu është shprehur se ky është një moment reflektimi, pas humbjes së thellë të pësuar në këto zgjedhje, një reflektim për të parë se çfarë nuk funksionoi në të djathtën.

Pavarësisht se ish-lideri, i dorëhequr tashmë, i PD-së, Sali Berisha, vetëm pak orë më parë kishte marrë përgjegjësinë e humbjes në këto zgjedhje, sipas Mediut humbëse është edhe partia e drejtuar prej tij. “Humbja duhet analizuar – u shpreh Mediu, – por mendoj se kandidatët nuk mund të zgjidhen në muajt e fundit para zgjedhjeve”.

Megjithatë, të ftuarit në studio kanë argumentuar se, sipas tyre, nuk mund të fajësohen partitë e vogla për këtë disfatë të së djathtës, as vendimi i Berishën për t’i përfshirë kryetarët e partive aleate në listat e PD-së, por shkaqet janë më komplekse dhe nevojitet kohë për të reflektuar dhe analizuar gjithçka.

Sa i përket liderit historik të qendrës së djathtë në Parlamentin shqiptar, Sali Berishës, Mediu është shprehur:

“Për gjithcka ka bërë në këto 22 vite demokraci të shtetit shqiptar, duhet vlerësuar dhe i duhen njohur meritat. Ndoshta në një periudhë të nxehtë politike apo fushate mund të jemi të rrëmbyer ndonjëherë, por historia do ta tregojë më mirë dhe do ta vlerësojë më mirë figurën e tij. Duke qenë se tani ka dhënë dorëheqjen dhe qendra e djathtë është pa një lider, mund të them se shpresoj që të gjendet sa më shpejt një zëvendësues i denjë i tij, për të rikuperuar moralin e rënë të PD-së dhe të së djathtës në përgjithësi, por më e rëndësishme, për t’u ngritur sërish drejt sfidave të rëndësishme të së ardhmes”, tha Mediu.

“Tashmë nevojitet një ndryshim dhe rikonceptim i së djathtës shqiptare, me qëllimin e vetëm, që të bëhemi gati të kërkojmë sërish qeverisjen e vendit”, theksoi Mediu.

Top Channel