Prishtina zyrtare i ka përsëritur kërkesën për njohje selisë së shenjtë të Vatikanit, duke kërkuar edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ia drejtoi të mërkurën këtë ftesë delegatit apostolik të Vatikanit për Kosovën, Juliusz Janusz, gjatë një takimi në Lubjanë.

Gjatë bisedimeve, shefi i diplomacisë kosovare i ka shprehur interlokutorit mirënjohjen dhe konsideratën e qytetarëve dhe institucioneve kosovare për përkrahjen “tradicionale që ka dhënë Selia e Shenjtë”, bëhet e ditur në një komunikatë për shtyp.

“Në këtë kontekst, ministri Hoxhaj përsëriti kërkesën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Kosovës. Ai po ashtu shprehu vullnetin e qeverisë së Kosovës për forcimin e shumanshëm të bashkëpunimit tradicional me Selinë e Shenjtë”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Nga ana e tij, delegati apostolik i Vatikanit, Juliusz Janusz ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë, duke premtuar mbështetjen e fuqishme të selisë së shenjtë për këtë vend.

Top Channel