SHBA, hap para në reformën e emigracionit

25/06/2013 00:00

Projekt/ligjii për të rishikuar tërësisht sistemin amerikan të emigracionit ka kaluar pengesën më të vështirë, pasi Senati aprovoi 38 miliardë dollarë investim për sigurinë e kufijve.

Pas votimit 67 me 27 ditën e hënë, projekt/ligji, në qendër të të cilit është shtegu për dhënien e nënshtetësisë për emigrantët pa dokumenta, duket se ka gjasa të miratohet.

Masat e forta të sigurisë në kufij dhe rritja e shpenzimeve ishin të nevojshme për të fituar votën e republikanëve deklarojnë analistët amerikanë.

Por tani projektligji do të përballet me një sfidë më të fortë, atë në Dhomën konservatore. Teksa Senati votonte të hënën, presidenti Barack Obama i bëri thirrje Kongresit që të veprojë shpejt me legjislacionin.

“Është momenti i duhur për ta bërë këtë”, deklaroi Obama nga Shtëpia e Bardhë para se të takonte drejtues të bizneseve në mbështetje të reformës për emigracionin.

“Unë shpresoj që të marrim sa më shumë vota të jetë e mundur në Senat, në mënyrë që të lëvizim drejt Dhomës së Kongresit dhe ta përfundojmë këtë çështje para pushimeve verore”, deklaroi Obama.

Thelbi i projekt/ligjit është projekti 13-vjeçar për dhënien e statusit ligjore për shumicën e 11 milionë emigrantëve ilegalë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

Gjithashtu, pr/ligji krijon ose përhap programet e vizave për punëtorët me zanat ose ata që janë specialistë të agrikulturës.

Amendamenti për sigurinë kufitare parashikon dyfishimin e numrit të agjentëve që patrullojnë kufirin në 40 mijë njësi dhe financimin dhe ndërtimin e një gardhi 700 milje të gjatë.

Top Channel