Prezantohet qeveria e re greke

25/06/2013 00:00

Kryeministri grek Andonis Samaras ka prezantuar mesditën e së martës qeverinë e tij të re pas tërheqjes së Fotis Kuvelis dhe partisë se tij nga koalicioni trepartiak.

Ajo përbëhet nga 41 ministra dhe zv/ministra. Postin e zv/kryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Jashtëm do ta mbajë Evangjelos Venizelos, kryetari aktual i Pasokut.

Në Ministrinë e Mbrojtjes dërgohet një prej ministrave më të suksesshëm të Nea Dhimokratia, Dhimitris Avramopullos. Vlen të përmendet hyrja në qeveri e Qiriakos Micotaqis, i biri i liderit historik të së djathtës greke Konstandimos Micotaqis.

Ndryshimet në postet ministrore dhe zëvendësministrat u kryen në mbi 70% të kabinetit. Por pati edhe ministra që u lanë të vazhdojnë reformat, siç janë postet kyçe të Ministrisë së Ekonomisë, ku Janis Sturnaras mbetet garantuesi i reformës ekonomike të qeverisë.

Sturnaras njihet dhe si garantuesi i ndihmës që FMN dhe troika vazhdon t’i japë Greqisë, edhe pse sipas vetë zotit Sturnaras shpesh është detyruar të implementojë politika të dhimbshme.

Pa ndryshuar mbeti edhe Ministria e Zhvillimit dhe Industrisë, ku Kostas Haxidhaqis po tenton liberalizimin e ekonomisë, por dhe duke prezantuar projekte dhe investime të qeverisë dhe investitorëve të shumtë ndërkombëtarë që tashmë e shohin Greqinë si një treg të lirë dhe plot shanse investimesh.

Nikos Dendias do të vazhdojë të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes së Qytetarit, një personazh që nuk ka ngurruar të përballet me ekstremistët e majtë dhe anarkistët që kishin kthyer vendin në arenë dhune të përditshme.

Nën urdhërat e tij filloi operacioni “Ksenos Zefs”, ndërsa kritiket i faturojnë dorë të fortë në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit.

Qeveria e re u betua përpara presidentit Papulias dhe në vazhdim nën drejtimin e kryeministrit Samaras u mbajt mbledhja e saj e parë.

Top Channel