Obama: Ndryshimet klimaterike, veprojmë tani

25/06/2013 00:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, paralajmëroi një paketë masash për të përballuar problemin e ndryshimeve klimaterike, duke sugjeruar edhe rritjen e kufizimeve për emetimin e karbonit në SHBA.

Obama zbuloi gjithashtu planin e tij për zgjerimin e projekteve të energjisë së rinovueshme, ndërsa bëri thirrje për një traktat botëror, ku këto sërë masash të zgjerohen përtej territorit amerikan.

Ky fjalim përbën një kthesë 180 gradë nga qëndrimet e mëparshme të Obamës, i cili kishte hedhur poshtë si të papranueshme idenë e një takse të karbonit.

Megjithatë, në fjalimin e përurimit të mandatit të tij të dytë, Obama pati thënë se do të angazhohej fuqimisht, për të përmirësuar situatën ambientale në botë.

Duke folur nga Universiteti i Xhorxhtaunit, në Uashington, Obama deklaroi: “Si një president, si një baba dhe si një amerikan, jam këtu për të thënë që duhet të veprojmë. Unë refuzoj të dënoj brezat e ardhshëm, sepse natyra nuk mund të vetrregullohet dhe ne sot kemi përgjegjësinë edhe për këta breza, kemi një detyrë morale për t’i trashëguar pasardhëvse tanë një planet pa ndotje dhe dëmtime”.

Top Channel