Obama: Na sillni spiunin e CIA-s

25/06/2013 00:00

Shtetet e Bashkuara duken të vendosura që të shtien në dorë njeriun që dekonspiroi programin sekret të përgjimeve.

Vetë presidenti Barack Obama deklaroi se po përdoren të gjitha “rrugët ligjore” për arrestimin e ish-kontraktorit te CIA-s, prej javesh në arrati.

Shtëpia e Bardhë beson qe Edward Snowden është në Rusi dhe po i bën presion Moskës ta ekstradoje 29-vjeçarin ne Shtetet e Bashkuara, ku i janë ngritur akuzat për spiunazh, të dënueshme deri me vdekje.

Zëdhënësi i presidentit, Jay Carney, kujtoi se Amerika i ka dorëzuar rregullisht Rusisë të dyshuar për krime dhe pret prej saj që të bëjë të njëjtën gjë.

”Jemi në bisedime me rusët. Po punojmë me ta në kuptimin që presim t’i shikojnë të gjitha mundësitë e dërgimit të zotit Snowden në Shtetet e Bashkuara, ku ai të përballet me drejtësinë lidhur me shkeljet për të cilat akuzohet. Mendoj se nisur nga bashkëpunimi ynë intensiv me Moskën pas shpërthimeve në maratonën e Bostonit dhe në përgjithësi bashkëpunimin me ruset lidhur me çështjet e zbatimit të ligjit, presim prej tyre ta marrin seriozisht në konsideratë dëbimin e Snowdenit”, deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.

Sekretari i Shtetit, John Kerry, nga ana tjeter paralajmëroi se vendet që ndihmojnë ish-analistin amerikan të zbulimit amerikan t’i shpëtojë arrestimit do të kenë pasoja.

Ekuadori njoftoi se po e shqyrton kërkesen e tij për azil politik. Vetë Snowdeni beson në Shtetet e Bashkuara nuk do t’i bëhet një gjyq i drejtë.

Përkrahesit e tij mendojne se 29-vjeçari ngriti zërin për të drejtën e privatësisë dhe zbuloi gabimet e qeverisë në mbledhjen e tabulateve telefonike dhe komunikimit në internet, ndërsa zyrtarët amerikanë kembengulin se ai ka vënë në rrezik strategjinë e vendit kundër terrorizmit.

Top Channel