Brazil, referendum për reformat

25/06/2013 00:00

Presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff ka propozuar një referendum për reforma politike, në përpjekje për të frenuar protestat që kanë përfshirë vendin.

Ajo gjithashtu premtoi se do të nxisë shpenzimet për transportin publik dhe se do të fokusohet në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit, në kuadër të asaj që e quajti marrëveshja e “pesë pikave” me qytetarët.

Më vonë ajo u takua me krerët e bashkive dhe guvernatorët e vendit, të cilët ranë dakord me planin e saj. Por disa aktivistë premtuan vazhdimin e protestave masive, më të mëdhatë që Brazili ka parë në të paktën dy dekada.

Mayara Longo Vivian, një lidere e Lëvizjes Pa Tarifa, deklaroi se presidentja nuk kishte ofruar masa konkrete dhe se “lufta do të vazhdojë”.

Mbrëmjen e së hënës u regjistruan protesta të reja në qytete të ndryshme, edhe pse me përmasa më të vogla se ato të javës së kaluar që çuan në përleshje me policinë.

Korrespondentja e BBC në Rio de Zhaneiro deklaron se fiks një javë më parë 100 mijë persona marshuan në Rio Branco Avenue, ndërsa të hënën vetëm disa dhjetra u mblodhën përpara kishës Candelaria.

Shumë njerëz iu bashkuan marshimit dhe shumë shpejt pak mijëra protestues pushtuan bulevardin në qendrën kryesore të qytetit.

Ndërsa shitës ambulantë shisnin flamurin brazilian dhe maska të grupit të hakersave Anonymous për ata që ishin të papërgatitur, raporton korrespondentja.

Top Channel