Francë-BE, akuza të ndërsjellta

24/06/2013 00:00

Komisioni Europian akuzoi politikanët francezë se po keqpërdorin emrin e BE-së, për të shmangur vëmendjen nga problemet e brendshme të vendit.

Komisioni, i cili harton ligjet europiane, iu kundërpërgjigj kështu ministrit francez të Industrisë, Arnaud Montebourg, i cili akuzoi komisionerin Jose Manuel Barroso, për favorizimin e nacionalizmit.

Marrëdhëniet e Parisit zyrtar me Brukselin mbeten të tensionuara që prej fillimit të muajit, kur Franca pretendoi se subvencionet në fushën kulturore duhet të përjashtohen nga bisedimet e tregëtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, ky nuk është objektivi i vetëm i mosmarrëveshjeve midis BE-së dhe qeverisë socialiste franceze.

Presidenti Hollande pretendon prej Bashkimit Europian që të bëjë më shumë për të inkurajuar rritjen ekonomike, duke vlerësuar se skemat e kursimit imponuar ndaj shumë vendeve anëtare kanë përshkallëzuar krizën.

Në një përgjigje ndaj deklarateve të ministrit, Barroso deklaroi: “Do të ishte diçka e mirë nëse disa politikanë do të kuptojnë se nuk do të shkojnë shumë larg në karrierën e tyre duke sulmuar Europën e duke u përpjekur që të përdorin Bashkimin Europian si një mundësi për të hequr vëmendjen nga problemet e tyre”.

Top Channel