Një avion transportoi Edward Snowden, njeriun e kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për spiunazh në Moskë, raportuan mediat ndërkombëtare duke cituar burime të sigurta të dielën.
Snowden u shndërrua në një prej njerëzve më të njohur në botë më parë gjatë qershorit, kur ai denoncoi një sistem gjigant spiunimi, të përdorur nga CIA për të fituar informacion në mënyrë të jashtëligjshme, nga telefonatat dhe adresat email e të rrjeteve shoqërore të miliona të dyshuarve në botë.
Më parë gjatë javës, Uashingtoni kërkoi zyrtarisht ekstradimin e tij nga Hong Kongu në SHBA, por me sa duket, qeveria autonome e qytetit-entitet shtetëror brenda Kinës, ka lejuar largimin e tij drejt Moskës, një veprim që sipas “BBC”, ka revoltuar autoritetet amerikane.
Një linjë e rregullt e “Aeroflot”, “SU213”, u ul në Moskë në orën 15:10 me orën shqiptare dhe brenda tij ndodhet Snowden.
Është e paqartë ajo që do të ndodhë me të shumëkërkuarin, ish-punonjës i CIA-s, pasi ai aktualisht nuk ka një vizë për të qëndruar në Rusi.
Spekulohet se ai mund të udhëtojë të nesërmen për në Venezuelë ose Kubë, ku do të kërkojë azil politik, por nuk përjashtohet mundësia që statusi i azilantit t’i ofrohet prej presidentit Putin, e të mbetet në vend.
Spiunazhi është një vepër penale e dënueshme deri me dënim me vdekje, në bazë të legjislacionit të SHBA-ve.
Top Channel