Mediat e huaja për zgjedhjet në Shqipëri

23/06/2013 00:00

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri janë vënë në qendër të vëmendjes edhe nga shumë prej mediave më prestigjioze në botë.

BBC-ja në faqen e saj të uebit ka shkruar se analistë të ndryshëm  janë shprehur se situata në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku  aktualisht ka një anëtar më pak sesa kërkohet ligjërisht, është një ndër problematikat kryesore të këtyre zgjedhjeve. Media britanike ka cituar deklaratën e një diplomati perëndimor dhënë agjensisë së lajmeve AFP, ku ky i fundit është shprehur se rreziku që zgjedhjet e të dielës në Shqipëri të kontestoheshin ishte shumë i qëndrueshëm, kjo për shkak të situatës me KQZ-në. Ndërkaq, theksi është vënë edhe te deklarata e BE-së se zgjedhjet përfaqësojnë një test të rëndësishëm për institucionet demokratike të vendit dhe progresin e tij drejt Bashkimit Europian.

Edhe ‘Washington Post’, në një artikull për zgjedhjet në Shqipëri, ka shprehur frikën e Perëndimit për një proces të drejtë votimi.  E përditshmja amerikane ka shkruar gjithashtu për situatën me KQZ-në e cila mund të hedhë dyshime mbi pritshmërine e votimit. Gjithashtu ‘Washington Post’ ka pohuar se ka patur raporte për pjesëmarrjen e forcuar në mitingje gjatë fushatës nga ana e qeverisë aktuale të punonjësve civilë dhe nxënësve të shkollave.

‘Al Xhazira’ ka shkruar se këto zgjedhje do të testojne demokracinë e trazuar shqiptare. Pas një rezumeje të gjendjes në Shqipëri, ku vihet theksi në brishtësinë e ekonomisë së vendit e cila nga qeveria e kaluar është lënë në një gjendje kaotike, ku kryeministri është kritikuar shkurtin e kaluar nga Banka Botërore për thyrjen e tavanit të vetëvendosur të borxhit publik prej 60%, është pohuar se korrupsioni për shqiptarët është një çëshje e ditës.

Sipas “Al Xhazirës”, bazuar në eksperiencën shqiptare zgjedhore ku në zgjedhje të mëparshme procesi i votimit është prishur nga dhuna, intimidimi dhe deklaratat për ndërhyrje me votat, si dhe me raportimet e ndryshme edhe kësaj here për blerje votash sidomos në zonat kyçe, i gjithë procesi vihet në dyshim.  

Sipas Gerald Knaus, drejtues i një thinktank-u të bazuar në Berlin të quajtur Iniciativa për Stabilitetin Europian, rezultati i këtyre zgjedhjeve në Shqipëri, duke qenë se është e lidhur ngushtë me mundësitë e Shqipërisë për të marrë më në fund pas përpjekjes së tretë statusin e vendit kandidat, do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë edhe në stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Knaus është edhe  bashkëautor i  raportit “Kufij të kuq për Shqiperinë – BE-ja dhe Zgjedhjet Parlamentare të Qershorit”. Ai është shprehur gjatë një interviste për faqen e Observatorit Ballkanik e Kaukasian.  

Top Channel