
Në zonën e Pajovës, në Bishqem-Fushë, në qendrën e votimit 22/66 ka ndodhur një incident. Sipas komisioneres së Partisë Socialiste dhe kryetares së Komisionit, ajo është kërcënuar nga persona të paidentifikuar, ndërsa komisioneri i Partisë Demokratike pretendon se është qëlluar nga këta persona.
Megjithatë, në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë të cilat kanë bllokuar një makinë tip fuoristradë dhe kanë ndaluar tre persona.
Situata është vënë nën kontroll dhe procesi i votimit vijon normalisht.
Zëdhënësja e Policisë së Peqinit deklaroi në një dalje për mediat: “Në një qendër votimi në fshatin Bishqem të qytetit të Peqinit është goditur me sende të forta nga tre shtetas anëtari i komisionit të kësaj qendre, shtetasi me inicialet P.S. Gjithashtu këta tre shtetas kanë goditur edhe bashkëshorten e tij, shtetasen me iniciale I.S. Policia ka identifikuar dhe sekuestruar mjetin me të cilin këta shtetas qarkullonin në Peqin. Tre personat e ndaluar janë: Gazmend Sinani, drejtuesi i mjetit Mitsubishi, Astrit Kashi dhe Aleksandër Bajo. Nga kontrolli i mjetit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: dy armë zjarri tip automatik, një shotgun dhe një sasi municionesh.”
Top Channel