
Në Fier është thënë nga përfaqësues politikë se pjesëmarrja në zgjedhje varion nga 58 në 59 për qind. Nëpër ZAZ janë nxjerrë jashtë të gjithë gazetarët dhe po merren në dorëzim të gjitha kutitë e votimit.
Kishte probleme nga fundi i votimit në një prej lagjeve të qytetit, por kur gazetarët shkuan atje proçesi kishte përfunduar dhe materialet ishin drejtuar për në KZAZ.
Më herët kandidati i pavarur në qarkun e Fierit, Dritan Prifti denoncoi se persona nga LSI kishin sulmuar dy qendra votimi. Por pas verifikimeve të policisë denoncimi rezultoi jo i vërtetë.
Ndërkohë, në KZAZ-në numër 58 të këtij qarku një incident ndërpreu për 1 orë votimin. Një person qëlloi me gurë dritaret e qendrës së votimit, duke detyruar kryetarët të ndërprisnin proçesin.
Pas verifikimeve të bëra në vendin e ngjarjes, kryetari socialist dhe ai demokrat ranë dakord për rifillimin e votimeve. Në një zonë banorë të komunitetit rom, për shkak të analfabetizmit kërkuan ndihmë për të votuar, problem që u zgjidh.
Top Channel