
Në qarkun e Shkodrës ka mbaruar prej më shumë se një ore votimi dhe materialet zgjedhore janë drejtuar për në KZAZ. Proçesi elektoral në përgjithësi ka qenë i qetë, por kandidati i PS Tomë Doshi ka folur për tentativa të Partisë Demokratike për ta cënuar atë.
“Proçesi ka qenë i qetë, pavarësisht se PD ka tentuar të krijojë incidente. Socialistët ishin të vendosur për të garantuar zgjedhje të lira”, ka deklaruar Doshi.
Kandidati i PS është shprehur i bindur për një fitore të Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës, i njohur si bastion historik i së djathtës.
“Garantoj gjithë qarkun e Shkodrës se fitorja e PS është e thellë, 6 mandate me 5. Aktualisht po luftojmë për të kapur të shtatin, por për 6 jam i sigurt”, ka thënë Doshi.
Sipas tij, PD ka dalë forcë e dytë në Shkodër dhe Malësinë e Madhe dhe e tretë në Pukë, si pasojë e bashkimit të demokratëve me PS-në.
“PS është fituese. U bashkuan të majtë e të djathtë në një revolucion demokratik kundër Berishës. Në 2009-ën ne na ndanë 3500 vota nga deputeti i pestë. Këtë herë janë bashkuar shumë nga e djathta që kanë votuar për PS”, ka thënë Doshi, duke u shprehur i bindur se: “Të gjashtë mandatet janë të PS”.
Top Channel