Bregu: Ne kemi fituar, të presim me qetësi numërimin

23/06/2013 00:00

Vijojnë daljet publike të zyrtarëve të partive politike në lidhje me rezultatet zgjedhore paraprake.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike Majlinda Bregu shprehu bindjen për fitoren e PD-së bazuar në sondazhet e kësaj force por edhe në exit poll-et e kryera nga CIVITAS Albania.

“Këto sondazhe janë rezultati më i mirë për besuar tek fitorja jonë”, tha Bregu.

Ajo i bëri thirrje mbështetësve që të presin rezultatet zyrtare dhe të jenë të qetë në pritje të certifikimit të asaj, që Bregu e quajti fitore historike.

Bregu theksoi se rezultatet e deritanishme tregojnë pjesëmarrjen më të madhe të votuesve në bastionet e PD-së.

PS: Fituam zgjedhjet, koha të fitojmë edhe standartet e tyre

Partia Socialiste rikonfirmoi fitoren e saj, ndërsa apeloi për qetësi dhe transparencë në nisjen e procesit të numërimit, në komunikimin e fundit me publikun, në 20:50.

Nëpërmjet zëdhënësit Florjon Serjani, PS apeloi: “Asnjë votë të mos keqtrajtohet. Çdo subjekt zgjedhor opozitar, brenda dhe jashtë aleancës duhet të marrë një për një çdo votë që i ka dhënë elektorati. Partia Socialiste, së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim, është e gatshme që të kryejë detyrën e saj kushtetuese dhe atdhetare të mbrojtjes së këtij procesi”, tha zëdhënësi Serjani.

“Kemi fituar zgjedhjet, por të fitojmë edhe standartet e këtyre zgjedhjeve historike për Shqipërinë. i presim me qetësi dhe vëmendje rezultatet, ndërsa i kërkojmë drejtuesve të policisë që të këpusin fijet që i mbajnë lidhur me pushtetin, ndërsa i kërkojmë kundërshtarëve të bashkëpunojnë për një numërim sa më transparent dhe të ligjshëm. Zgjedhësit e Partisë Demokratike, demokratët e ndershëm, nuk mund të ndihen të humbur. i vetmi që ka humbur është Saliu dhe receta e tij e rrënimit, por rilindja ka ardhur edhe për demokratët. Ne do të mirëqeverisim për të gjithë”, shtoi Serjani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA