Berisha: Proces i mirë. Rama e Meta: Fitore plebishitare; Topi: Kaluam pritshmerite

23/06/2013 00:00

Kur ka mbaruar procesi i votimit thuajse ne te gjithe vendin, partite
politike me ane te krereve te tyre, por edhe te zedhenesve te tyre kane
dale ne deklaratat e para per mediat.

Kryeministri Sali Berisha falenderoi pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, votuesit të shumtë në numër, komisionerët dhe mbështetësit e partive.

“Sot procesi ka ecur mirë, por ka patur edhe një ngjarje tragjike. Kandidati i PD-së në Lac bashkë me familjarin e tij u plagos, ndërsa një tjetër qytetar mbeti i vdekur. I shpreh ngushëllime familjes për humbjen dhe u uroj nga zemra shërim të shpejtë të lënduarve”, tha Berisha.

Berisha: Drejtesia te zbardhe ngjarjen e Laçit

Kryeministri Sali Berisha ne nje deklarate per media pak minuta me pare kerkoi hetimin e ngjarjes ne Lac, ku mbeti i vdekur nje person dhe u plagosen dy te tjere.

“Përçmim për qëndrimin e nekro-politikanëve të cilët rendën me vrap për deklarata. Nuk dëgjova asnjë ngushëllim për humbjen e jetës së një njeriu, por ata rendën të krijonin kapital politik me një ngjarje të hidhur dhe të rëndë. Ata thanë se e dinin që mbrëmë që kjo ngjarje të ndodhte. Prokuroria të administrojë çdo deklaratë, sepse ata që e dinin që krimi do të ndodhte duhet të bënin cdo gjë për ta parandaluar atë”, tha Berisha, duke iu referuar deklaratës që kreu i LSI-së Ilir Meta bëri nga Laçi.

 Rama: Rilindja fitoi mbi rrënimin

Kreu socialist Edi Rama ne daljen e tij te pare publike pas perfundimit te orarit zyrtar te votimeve deklaroi se rilindja ka fituar mbi rrënimin dhe se Aleanca për Shqipërinë Europiane do ta realizojë objektivin e shpallur të mandateve.

Rama i kërkoi drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe zëvendësit të tij, Agron Kulicaj që të vihen në shërbim të shtetit dhe të mos kryejnë veprime antiligjore.

“Populli sovran është shprehur me votë dhe administrimi i mëtejshëm i procesit duhet të garantohet nga e gjithë administrata zgjedhore. Policia e shtetit të bëjë detyrën dhe vetëm detyrën”, kërkoi Rama.

Kreu socialist kërkoi vijimin me normalitet të procesit të numërimit, me qëllim që Shqipëria të marrë një notë pozitive në zhvillimin e mirë të këtyre zgjedhjeve e që do t’i shërbejnë të ardhmes së saj.

Rama: Nuk do të lejojmë të preket asnjë votë

Kryetari i PS-së Edi Rama deklaroi se ngjarja e sotme në Laç është një këmbanë alarmi për të gjitha uniformat blu që sot janë në detyrë dhe që duhet të qëndrojnë në detyrë për ta mbështetur dhe garantuar këtë proces deri në minutën e fundit.

“Ne jemi garantë të palëkundur dhe të pamposhtur të çdo vote. Sigurojmë të gjitha subjektet opozitare brenda dhe jashtë koalicionit tonë se ne nuk do të lejojmë të preket asnjë votë shqiptari dhe shqiptareje”, tha Rama.

Meta: Fituam të paktën 80 mandate, LSI 15-20 mandate

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta shprehu bindjen se Aleanca për Shqipërinë Europiane ka në kuti të paktën 80 mandate dhe LSI ka 15-20 mandate.

“Këto rezultate ne i bazojmë në të gjitha të dhënat tona dhe përmes Exit Poll-eve me institute tepër serioze. Kutitë do të hapen do të numërohen votat. Janë të paktën 80 mandate për më shumë nuk mbaj përgjegjësi”, tha Meta, sipas të cilit fitorja e të majtëve është plebishitare.

Meta bëri thirrje që Policia e Shtetit të qëndrojë larg kutive dhe Kryeministri të zbatojë rregullat.

“Do të jemi këtu derisa të numërohet vota e fundit, por deri atëherë duhet të ruajmë qetësinë”, tha Meta.

Topi: Rezultati i FRD-së, përtej pritshmërive

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, u shpreh optimist për një rezultat “përtej pritshmërive” të forcës së tij politike, në një konferencë për shtyp në mbylljen e procesit të votimit.

“Ne presim një rezultat përtej kufijve të pritshmërisë. Natyrisht, procesi vazhdon e FRD s’ka anëtarë në komisionet e numërimit, por besojmë se vazhdimësia e procesit do të bëhet me korrektësi, duke konsideruar çdo komision që buron nga ligji jo si një komision i përbërë vetëm nga përfaqësues partish, por si një instrument që ka detyrim të japë me korrektësi verdiktin e votës”, tha ish-Presidenti i Republikës, i cili të premten, nga “Top-Story” në “Top-Channel”, konsideroi si objektivin e pretenduar nga forca e tij futjen në Kuvend me një grup parlamentar prej shtatë deputetësh.

Në fjalën e tij, Topi shprehu gjithashtu keqardhjen më të thellë për ngjarjen e Laçit, paraqiti ngushëllimet në emrin e FRD-së familjes së të ndjerit Gjoni, uroi rikuperimin sa më të shpejtë të zotit Fufi, ndërsa falenderoi shqiptarët për pjesëmarrjen e lartë dhe qytetarinë e treguar në këtë ditë vendimtare për fatet e vendit.

 

Top Channel