BE, debate për dorëzaninë e bankave

23/06/2013 17:15

Ministrat e Financave të vendeve të Eurozonës nuk arritën një marrëveshje mbi mënyrën se si mund t’u vihet në ndihmë bankave në vështirësi në krizat hipotetike të së ardhmes.

Pas rreth 20 orë bisedimesh të shtunën, e diela i gjeti ministrat përsëri të ndarë mbi pyetjen nëse depozituesit duhet të paguajnë ndonjë kosto në dorëzanitë ndaj bankave.

Në Qipro, ku disa prej bankave kryesore të vendit falimentuan më parë gjatë vitit, mbajtësit e depozitave në vlerën mbi 100 mijë euro humbën 40% të parave të tyre, por kjo mënyrë e aplikimit të dorëzanisë ka ngjallur debate të shumta mes ministrave të financave.

Si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve, gjetja e një formule dakordësie është shtyrë për të mërkurën, kur në një samit do të takohen liderat e shteteve të BE-së.

Pavarësisht vështirësive aktuale, ministri francez i Financave, Pierre Moscovici, u shpreh optimist: “Do të arrijmë të gjejmë një marrëveshje, jam i sigurt për këtë”.

Top Channel