Përfaqësues i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Ligoraq Karamelo, denoncoi atë që ai e quajti si një “aleancë të fshehtë” midis Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, për të dëmtuar votat e PBDNJ-së në zonat ku ajo pretendon të marrë më shumë vota.
“Konstatojmë disa shkelje të rëndësishme me identitetin dhe profilin e PBDNJ në zonën e Himarës dhe në zona të tjera. Shpresim zyrtarisht shqetësimin tonë se në Himarë vërehet një bashkëpunim i hapur PD-PS kundër partisë sonë politike”, denoncoi zoti Karamelo.
“Këtë e kemi konstatuar në Qeparo, kur njerëz të ndryshëm përpiqen të votojnë disa herë e një shtetase ka votuar pa qenë e regjistruar. Në Himarë mungon dhoma e fshehtë në një zonë, ku i bëhet presion njerëzve kundër PBDNJ dhe Omonias, e në Spille të Himarës, një punonjës i bashkisë bën presion për të votuar Partinë Socialiste. Gjithashtu, rreth mesditës, në Himarë kanë hyrë në qendër votimi shtatë persona të armatosur, të cilët kanë bërë presion se përse flitet greqisht në zonë. Policia ndërhyri vetëm pas largimit të tyre. PBDNJ, gjithashtu shpreh shqetësimin për mungesën e përfaqësimit tonë në komisionet e ndryshme elektorale”, shtoi Karamelo.
Megjithatë, përfaqësuesi i partisë që përfaqëson minoritetin në Shqipëri pranoi se “zhvillimi i procesit deri tani ka qenë përgjithësisht i qetë, ndërsa pjesëmarrja e ulët”.
PBDNJ është një forcë politike që në këto zgjedhje konkurron si pjesë e koalcionit të majtë, Aleanca për Shqipërinë Europiane.
Top Channel