Superpërgjimi i britanikëve

22/06/2013 00:00

Prej 18 muajsh shërbimet britanike të spiunazhit kanë ndërmarrë një operacion të koduar “Tempora”, sipas të cilit agjentët britanikë kanë ndërhyrë në kabllot e fibrave optikë që vinin nga Amerika e Veriut drejt brigjeve britanike poshtë Oqeanit Atlantik.

Gjatë këtij operacioni, një sasi e jashtëzakonshme informacionesh private janë grumbulluar përmes e-mail-eve private, mesazheve në Facebook apo përgjimit të telefonatave ndërkombëtare. Gazeta britanike ‘The Guardian’ shkruan se agjentët britanikë kanë instaluar pajisje në fibrat optikë transatlantikë për të përgjuar trafikun në internet. Sipas saj, ky informacion është ndarë më pas me amerikanët.

Qendra e përgjimeve në Britani, sipas teknokratëve të çështjeve të sigurisë, është qendra më e madhe e përgjimit në botë. Gazeta shkruan se sipas dokumentave vetëm vitin e kaluar kjo agjensi përgjimi me inicialet GCHQ, ka përgjuar 600 milionë telefonata çdo ditë dhe ka përgjuar në 200 fibra optike dhe arrinte të përpunonte të dhënat në 46 fibra njëkohësisht.

Informacionet e marra kanë çuar në një numër arrestimesh për çështje terrorizmi dhe parandalimin e sulmeve në prag të Lojërave Olimpike. Këto zbulime e vënë në vështirësi qeverinë e kryeministrit Cameron për të siguruar publikun për mënyrën e grumbullimit dhe përdorimit të këtyre të dhënave sekrete.

Top Channel