SHBA akuzon Snowden për spiunazh

22/06/2013 02:00

Prokurorët federalë kanë akuzuar Edëard Snowden, personin që pranoi se kishte nxjerrë detaje tepër sekrete në lidhje me programet amerikane të survejimit, për spiunazh dhe vjedhje të pronës qeveritare, sipas një padie penale të lëshuar të premten në një gjykatë të Virxhinias.

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Hong Kong-ut të arrestojë me një urdhër arresti të përkohshëm, raporton “The Washington Post”, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë.

Padia akuzon Snowden për vjedhje të pronës qeveritare, komunikimin e paautorizuar të informacioneve të mbrojtjes kombëtare dhe komunikimin me vullnet të informacioneve të klasifikuara të zbulimit ndaj një personi të paautorizuar, akuza që përmblidhen me një vepër të vetme, atë të spiunazhit, sipas Aktit të Spiunazhit në SHBA.

Snowden, 29 vjec, ka pranuar nëpër intervista se ai ishte burimi pas nxjerrjes së dokumentave të klasifikuara në lidhje me programet survejuese të Agjencisë të Sigurisë Kombëtare. Këto informacione u publikuan si raporte në gazetën britanike “The Guardian” gjatë këtij muaji, teksa media në fjalë zbuloi identitetin e Snowden-it, me kërkesën e këtij të fundit.

Dokumentat zbulonin ekzistencën e një programi survejimi sekret, i cili mblidhte regjistrime të telefonatave të shtetasve amerikanë në SHBA dhe monitoronte aktivitetin në Internet, për rezidentët përtej detit.

Kjo rrjedhje informacioni goditi administratën Obama dhe komunitetin amerikan të zbulimit, duke ngritur pikëpyetje mbi operacionet sekrete të NSA-së dhe nëse agjencia ishte duke shkelur liritë e civilëve amerikanë.

Top Channel