Ngushtimi i lirisë së lëvizjes

22/06/2013 00:00

Marrëveshja e Shengenit ka bërë një hap prapa me vendimin e Parlamentit Europian që i lejon 26 vendet e kësaj zone t’i mbyllin kufijtë e tyre deri në 2 vjet në rast nevoje.

Për bllokun europian, liria për të udhëtuar lirshëm dhe kufijtë e hapur janë një tipar dallues, por shumica e eurodeputetëve e konsideron të nevojshëm reformimin e marrëveshjes ekzistuese. Mbyllja e kufijve do të monitorohet nga Komisioni Europian.

Gjermania ishte ndër ato vende që luftuan për rregulla të reja sa i takon lirisë së udhëtimit. Eurodeputeti Manfred Ëeber e argumentoi mjaft thjeshtë pretendimin e vendit të tij.

“Askush nuk e kishte menduar se ka shtete si Greqia që nuk arrijnë dot t’i sigurojnë kufijtë e tyre”, është shprehur Weber. “Për këtë arsye, përvojat e deritanishme duhen rishikuar.”

Të Gjelbërit në Parlamentin Europian janë të mendimit se nuk ka arsye për të ndryshuar një nga arritjet më të rëndësishme të Evropës. Marrëveshja e Shengenit, sipas tyre, është një gur themeli i bllokut dhe diçka prej së cilës qytetarët e BE-së kanë një përfitim konkret, i cili perceptohet edhe në jetën e përditshme.

“Na duket e çuditshme që t’i vihet sëpata Shengenit në këtë mënyrë”, deklaroi eurodeputetja Ska Keller, e grupit të partive ekologjike.

Me ndryshimin e marrëveshjes, sipas ekspertëve, europianëve të rinj si nxënësit e shkollave që e njohin Europën vetëm pa trarët e pikave kufitare, ndoshta do tu duhet të mësohen me një realitet tjetër.

Top Channel