Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, beson se Kosova ka
përkrahjen e dy të tretave të nga 47 anëtarët e Këshillit të Evropës që
të anëtarësohet në këtë institucion.

“Javën e kaluar ne jemi anëtarësuar në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe ne gjatë këtyre muajve të fundit i kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe kemi hartuar një dokument strategjik dhe mund t’ju them që ne së shpejti do të aplikojmë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.Mendoj që është çështje javësh dërgimi i kërkesës që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, që do të ishte anëtarësimi më i madh që ka pasur Kosova këto pesë vjetët e fundit”, tha Hoxhaj.

Në një intervistë për Radion “Evropa e Lirë”, Hoxhaj flet edhe për dialogun me Serbinë, si dhe për dorëheqjen e ish-zyrtarit ndërlidhës Lulzim Peci.

“Sipas kontakteve të mia direkte me kryeministrin Thaçi, ka përafrim në çështje konkrete, siç është organizimi dhe data e mbajtjes së zgjedhjeve. Ka përafrim edhe sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me sektorin e sigurisë dhe zhbërjen e strukturave ilegale të sigurisë dhe policisë”, u shpreh Hoxhaj.

Ndërsa në lidhje me dorëheqjen e Pecit ai tha: “Mendoj që çdo përfaqësues i Republikës së Kosovës, qoftë në rangun e ambasadorit, apo diplomatë të tjerë, nuk e përfaqësojnë veten e tyre dhe egon e tyre, por shtetin e Kosovës, qëndrimet politike dhe në përputhje me ligjet e Kosovës, në përputhje me udhëzimet tona në fuqi. Kërkohet që të ketë bashkëkoordinim dhe bashkërendim  të secilit diplomat apo ambasador me Ministrinë e Jashtme, për çdo deklaratë, qëndrim politik që jep. Për ne rasti i ish-ambasadorit Peci është i mbyllur, por ai në dorëheqjen e tij pas 48 orësh dhe në interpretimin politik që i ka dhënë kësaj situate, po dëshmon edhe që përcillet me papjekuri politike”.

Top Channel