Brazil, pritet deklarata e Presidentes

22/06/2013 00:00

Presidentja e Brazilit, Dilma Rusef zhvilloi një mbledhje urgjente të qeverisë për të diskutuar mbi protestat më të mëdha në vend, në këto dy dekadat e fundit.

Protestat nisën dy javë më parë dhe shkaku i tyre ishte rritja e çmimit të biletave të transportit, por tani protestuesit flasin për korrupsion dhe shpenzimet e stërmëdha për Kupën e Botës në futboll.

Mbi 1 milionë njerëz morën pjesë në protestat e së enjtes në 100 qytete. Një burrë humbi jetën, një makinë u përplas me një barrikadë të ngritur në shtetin e San Paolos. Një grua ndërroi jetë pas një infarkti, gjatë protestës në qytetin verior të Belemit.

Presidentja Rusef anuloi udhëtimin në Japoni, për t’u përballur me krizën. Takimi urgjent i qeverisë, në kryeqytetin Brasilia, përfundoi pas dy orësh, por pa një deklaratë zyrtare. Rusef, fillimisht vlerësoi protestuesit, duke thënë se ajo është krenare, që shumë njerëz po luftojnë për një vend më të mirë.

Por, prej kësaj deklarate, ajo u përpoq ta distanconte veten nga protestat. Të enjten, protestuesit u përpoqën të mësyjnë Ministrinë e Jashtme në kryeqytetin Brasilia. Ata u shtynë nga policët, të cilët përdorën gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës.

Në Rio de Zhaneiro, të paktën 29 persona u plagosën pas përplasjesh mes forcave speciale të policisë dhe grupeve të të rinjve të maskuar, që u përpoqen t’i afrohen bashkisë.

Pamjet televizive transmetuan pamje të bandave, që plackisnin dyqanet në qendër të qytetit. Përleshje mes protestuesve dhe forcave të rendit pati në qytetin verilindor Salvador, në Porto Alegre në jug dhe në Kampinas, në veri të San Paolos.

FIFA, nga ana tjetër, mohoi spekulimet në median braziliane për të anuluar Kupën e Konfederatave. Ndeshjet do të fillojnë të shtunën; Italia do të ndeshet me Brazilin, në qytetin Salvador, dhe Japonia me Meksikën, në Belo Horizonte.

Top Channel