Assange: Ofrojini azil Snowden-it

22/06/2013 20:50

Themeluesi i Wikileaks, Julian Assange, i ka bërë thirrje botës, gjatë së shtunës, të qëndrojnë në krah të Edward Snowden, personit që pranoi se ka nxjerrë detaje sekrete në lidhje me programet amerikane të survejimit.

Teksa i bënte apel “vendeve të drejta” të bënin një hap përpara dhe t’i ofronin Snowden azil politik, Assange akuzoi gjithashtu presidentin amerikan, Barack Obama, se ka tradhëtuar gjeneratën e “njerëzve të rinj dhe teknikisht mendjeprehtë”.

Assange ka folur nga ballkoni i Ambasadës ekuadoriane në Londër, të shtunën, por shfaqja e tij u shty për pak kohë, “për shkak të një situate sigurie, njoftoi Wikileaks në Twitter.

E mërkura shënoi vitin e parë, që kur Assange kërkoi mbrojtje në Ambasadën e Ekuadorit, në mënyrë që të shmangte ekstradimin në Suedi, ku ai kërkohet të merret në pyetje për akuzat e përdhunimit të një gruaje dhe ngacmimeve seksuale ndaj një tjetre.

Assange ka përsëritur shpesh, se akuzat në Suedi janë politikisht të motivuara dhe të lidhura me punën e uebsajtit të tij. Qeveria e Ekuadorit i dha atij azil në gusht, por autoritetet britanike thanë se do ta arrestonin atë, nëse del jashtë Ambasadës.

Si rezultat të vendimit të tij për të kërkuar ndihmë në Ambasadë, “Kam mundur të punoj në një siguri relative nga hetimet e spiunazhit amerikan”, tha Assange, sipas tekstit të deklaratës së publikuar në Twitter. “Por sot, përvoja e hidhur e Edward Snowden është vetëm fillimi”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA