Topi: FRD ekuilibron politikën

21/06/2013 00:00

Fryma e Re Demokratike u ndal në Fier prej nga kryetari Bamir Topi tha
se misioni i FRD-së është të ekuilibrojë politikën konfliktuale që
ekziston në vend që sipas tij është kthyer në arenë sharjesh e fyerjesh
të ndërsjella. Topi u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin Frymën e Re
Demokratike, si partia që përkrah interesat e tyre.

“Jepini fund zërit të indiferentizmit dhe shkoni votoni. Votoni me 23 qershor për të kontribuar në demokracinë shqiptare, për t’i dhënë fund këtij tranzicioni që na ka përfshirë të gjithëve, për t’i dhënë rastin Frymës së Re Demokratike me numrin 66, që të jetë në Parlament me grupin e saj parlamentar”, tha Topi.

Kryetari i FRD uroi rikthimin në garën zgjedhore të kandidatit Mit’hat Hoxha pas shërimit nga plagët e dhunës së ushtruar ndaj tij pak ditë më parë.

Mediu mbyll fushatën elektorale

Partia Republikane mbylli fushatën me dy mitingje në Elbasan e Tiranë prej nga Fatmir Mediu shprehu bindjen se Partia Republikane do të ketë grupin e saj parlamentar.

“Partia Republikane do të ketë grupin e saj parlamentar për të diktuar politikat e qëndrimet e Partisë Republikane. Edi Rama, çdo ditë mallkon, përbuz çdo shqiptar, nuk beson as në NATO, as në Bashkimin Europian, por ne motra dhe vëllezër jemi shqiptarë, që e kemi gjetur këtë besim”, tha Mediu.

Topalli, miting elektoral në Trush

Kryesuesja e listës së Partisë Demokratike në Shkodër, Jozefina Topalli zhvilloi një miting elektoral në Trush, ku u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të dalin në votime të dielën, për të votuar Partinë Demokratike dhe të refuzojnë alternativën e liderit të opozitës Edi Rama.

“Më 23 qershor Shkodra, Tirana, Durrësi, Elbasani do të fitojnë, më 23 qershor do të fitojë Shqipëria. Festa e fitores së madhe ka nisur kudo. Dilni dhe votoni numërin 44 dhe Sali Berishën”, tha Topalli.

Bregu: Fund politikës së izolimit

Gjatë mbylljes së fushatës elektorale në Farkë, kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në Tiranë, Majlinda Bregu tha se më 23 qershor shqiptarët do të votojnë kundër politikës së izolimit, siç e quajti ajo, politikën e kryesocialistit Rama.

“Ai kryetari i Partisë Socialiste nuk i përmend asnjë ditë rrogat, pensionet e qytetarëve, sepse interesi i tij vetëm është të mbajë karrigen e kryetarit të Partisë Socialiste. Ju e bëtë atë që si burracak të ikte nga Tirana dhe sot të shkojë dhe të kandidojë në Vlorë”, tha Bregu.

Malaj: Duhet rotacion politik

Në mbylljen e fushatës elektorale, kandidati i pavarur Arben Malaj tha se vendi ka nevojë për rotacion, por jo për një Qeveri të re të bazuar në shokë e miq, por njerëz të përkushtuar.

“Politika nuk bëhet me pazare, politika bëhet me zemër. 20 vjet jam munduar të hedh këtë model, ju më keni ndihmuar dhe mirënjohjen tuaj ta kem të përjetshëm. Unë do të jem gjithmonë në shërbimin tuaj, unë do të jem miku juaj”, tha Malaj.

Milo, takime me qytetarë

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo zhvilloi një takim përmbyllës në Ndroq, ku shprehu besimin e plotë në fitoren e së majtës ditën e diel.

“Demokracia sociale do të jetë ditën e hënë e tutje, pjesë e opozitës që vjen në pushtet, që vjen në Qeverisje, për t’i dhënë Shqipërisë një perspektivë shumë të qartë europiane, duke plotësuar të gjitha standardet. Votoni Demokracinë Sociale me numrin 19”, tha Milo.

Top Channel