Një tërmet me fuqi 5.2 ballë është regjistruar paraditen e së premtes në Itali, duke prekur rajonet veriore të Emilias, Lombardisë, Piemontes, Toskanës, Venetos dhe Ligurias.
Sipas mediave italiane, tërmeti është verifikuar në një thellësi tokësore prej 5 kilometrash dhe për rrjedhojë ka qenë shumë sipërfaqësor.
Në disa raste, banorët kanë dalë nga shtëpitë dhe zyrat nga frika e shembjes së ndërtesave të vjetra.
Burimet saktësojnë se në disa zona ka pasur edhe shembje, kryesisht në disa banesa të cilave u kanë rënë tjegullat e çative. Gjithashtu, një person ka mbetur i plagosur.
Lëkundja sizmike është pasuar nga një lëkundje e dytë, që është ndjerë edhe në katet e para të banesave në qytetet toskane Fierence, Karrara, Livorno e Versilia, si dhe në Torino e Xhenova, përkatësisht në rajonet e Piemontes dhe Ligurias.
Në rajonin e Emilias, ministrja Josefa Idem sapo kishte nisur fjalimin në një seminar mbi shanset e barabarta, kur ndërtesa është lëkundur nga lëvizjet e forta sizmike dhe është evakuar menjëherë nga policia.
Njerëzit janë derdhur rrugëve nga frika e shembjes së godinës, gjë e cila sipas autoriteteve të vendit fqinj nuk ka ndodhur.
Rajonet e prekura nga tërmeti i së premtes janë zona me karakter të fuqishëm sizmik dhe jo pak herë janë lëkundur në kohët e fundit. Ndërkohë, infrastruktura e vjetër e ndërtesave italiane i bën ato të cënueshme ndaj këtij fenomeni.
Top Channel