Tetë persona janë arrestuar në territorin spanjoll të Seutës, nën dyshimin se po krekrutonin luftëtarë xhihadistë për të shkuar në Siri dhe vende të tjera.
Lajmin e ka bërë të ditur policia lokale, sipas të cilës personat e arrestuar mëngjesin e së premtes akuzohen se janë pjesë e një rrjeti të lidhur me Al Kaedën.
Ata dyshohen se kanë financuar, indoktrinuar dhe lehtësuar udhëtimet jashtë shtetit për aspirantët luftëtarë. Policia deklaroi se baza e rrjetit ishte në enklavën spanjolle në Afrikën e Veriut, Seuta dhe në qytetin maroken të Fnidekut.
Ministri i Brendshëm spanjoll, Jorge Fernandez Diaz e vlerësoi operacionin si “një goditje të rëndë” ndaj terrorizmit ndërkombëtar.
Të gjithë të arrestuarit janë shtetas spanjollë, ka saktësuar Ministria e Brendshme, duke shtuar se, një numër i konsiderueshëm personash, shumë prej të cilëve nën 18 vjeç, ishin larguar nga dy enklavat përmes lehtësive të ofruara nga rrjeti i Al Kaedës.
Disa prej tyre kishin marrë pjesë në organizimin e atentateve vetëvrasëse, ndërsa të tjerë kishin shkuar në kampet e stërvitjes për t’u përgatitur për aksione të armatosura.
Grupe të ndryshme xhihadistësh ishin në pritje të udhëtonin nga Spanja për në Siri, ka sqaruar më tej Ministria e Brendshme, duke shtuar se hetimi mbi njësitë në fjalë është në vazhdim.
“Ne jemi të sigurt se ata lehtësonin udhëtimet për një numër personash nga Seuta, Maroku dhe vende të tjera në Spanjë, përmes Turqisë”, ka deklaruar ministri Diaz.
Top Channel