Siria, Putin: SHBA po armatos terroristë

21/06/2013 18:35

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kritikoi të premten vendet perëndimore dhe veçanërisht Uashingtonin, për nismën e tyre të armatosjes së rebelëve sirianë.

Në arsyetimin e tij, Putin çmoi se këto armë do të bien në duart e Al-Kaedës dhe grupeve të tjera terroriste, duke dëmtuar rëndë sigurinë në rajon dhe në botë,.

“Këto armë do të përfundojnë në duart të Al-Kaedës”, deklaroi Putin, nga Shën Pjetërburgu. “Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Departamenti i Shtetit njohin si një prej fraksioneve kryesore të kryengritjes është Fronti i Al-Nusrës, një organizatë e konsideruar prej tyre si terroriste dhe e lidhur me Al-Kaedën, nuk e kuptoj se si mund të marrin qoftë në konsideratë furnizimin e kryengritësve me armë”, deklaroi Putin.

“Këto pyetje nuk kanë marrë ende një përgjigje, edhe pse i kemi ngritur në takime të shumta dypalëshe. Ne besojmë se qëndrimi ynë mbi Sirinë është më i natyrshëm, më i thelluar dhe i bazuar në realitetin e ngjarjeve, pasi besojmë që vetëm populli sirian mund të garantojë një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme për veten e tij”, shtoi presidenti rus.

Komentet e Putin vijnë dy javë pasi Moska furnizoi me një seri armë të rëndash, si raketa antiajrore dhe anti-tankë, qeverinë e Bashar al-Assadit, të konsideruar nga Kremlini si të vetmen përfaqësuese të ligjshme të popullit sirian, një aleat kyç për Rusinë në rajon.

Ndërsa duket se superfuqitë po armatosin secila palët e mbështetura në konfliktin civil në Siri, bilanci i viktimave ka kaluar tashmë 93 mijë persona, sipas statistikave konservatore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA