Rama, Meta e Topi në “Top-Story”

21/06/2013 00:00

I spostuar në ditën e fundit të fushatës në Sheshin e Flamurit, “Top-Story; Shqipëria Vendos 2013”, në fund të kësaj maratone elektorale të nisur pesë të javë më parë, ishte i pranishëm në Vlorë, ku Partia Socialiste i bëri një fund spektakolar mbylljes së fushatës së saj, në dysh nga Shkodra dhe Vlora.

Edi Rama, kandidati për kryeministër i kësaj force, gjithashtu kreu një udhëtim të ndarë në dysh, me gjysmën e parë në Shkodër dhe më pas me helikopter mbërriti në Sheshin e Flamurit, ku mbajti fjalimin përmbyllës, duke i bërë thirrjen e fundit shqiptarëve të pavendosur për të votuar kandidaturën opozitare.

Kjo ka qenë një fushatë ku më shumë se sa me forcën e slloganeve, partitë janë përpjekur të përdorin forcën e arsyes dhe vetëm një ditë më parë, në studion e “Top-Story”, kryeministri Berisha iu përgjigj pyetjeve me sfond politik të Sokol Ballës, duke parashtruar edhe ofertën e tij elektorale.

Natyrisht, në këtë maratonë ne nuk mund të linim disa faktorë të rëndësishëm politikë që do të kenë një ndikim të rëndësishëm në ditën e zgjedhjeve, si Fryma e Re Demokratike, e kryesuar nga ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe LSI e Ilir Metës, që së bashku me socialistët, janë tre forcat kryesore që kundërshtojnë qeverisjen aktuale.

Në një farë mënyrë, ndërsa Topi synon të marrë sa më shumë mandate për forcën e tij, FRD mund t’i sjellë një dëm real dhe të jetë përcaktues në zgjedhje, duke dëmtuar votën e Partisë Demokratike, ndërsa në kampin e majtë, bashkimi me Metën ka sjellë një lloj qetësie dhe optimizmi për një rikthim në pushtet të së majtës.

Por, a do të realizohen këto pritshmëri në një proces zgjedhor që ende ka shumë dyshime për transparencën dhe rregullsinë e tij?

Rama: Edhe 48 orë nga një fitore historike

Në orën e fundit të serisë së fundit të maratonës së “Top-Story; Shqipëria Vendos 2013”, pas intervistave me Metën dhe Topin, në një lidhje direkte nga Sheshi i Flamurit në Vlorë ishte kryetari i opozitës, Edi Rama.

Në një mesazh të fundit adresuar të gjithë votuesve, Rama theksoi se mazhoranca aktuale është duke përjetuar orët e saj të fundit, e se shpresa për Rilindje po lulëzon në të gjithë vendin.

Sokol Balla – Përshëndetje zoti Rama dhe mirësevini në këtë lidhje të drejtëpërdrejtë nga Vlora. Këtu shënohet fundi i kësaj fushate elektorale, një fushatë që ka qenë në shumë drejtime ndryshe nga të shkuarat.

Edi Rama – Ka qenë ndryshe në dy aspekte. Njëri për meritën tonë, pasi kemi konceptuar një projekt strategjik prej shtatorit të 2011-s dhe realisht ka funksionuar thuajse si sahat zviceran, pasi kanë qenë të gjitha etapat e programuara, duke përfshirë një përdorim krejt të panjohur më parë në Shqipëri të teknologjisë së re të rrjeteve sociale, duke përfshirë një transformim të imazhit të PS në kuptimin vizual dhe sigurisht, e dyta, ka qenë ndryshe për meritën e mediave ose disponibilitetin e mediave, pasi besoj që në Shqipëri s’ka ndodhur ndonjëherë, është shumë e rrallë, e nuk e di në është e mirë apo jo, që të ketë kaq shumë hapësirë live në ekrane. i është konsumuar debatet me orë të tëra gjatë javëve e javëve e besoj se nga kjo pikëpamje, është fushata e parë që ka kaq shumë mundësi për publikun që të përtypë argumenta dhe kundërargumenta.

Sokol Balla – Ndryshuat logon, ngjyrën e përmbajtjen e Partisë Socialiste, ndërsa realizuat një mbyllje spektakolare me udhëtimin me helikopter nga Shkodra në Vlora? Cila ishte simbolika e kësaj mbyllje?

Edi Rama – Tradicionalisht e kemi mbyllur në Tiranë, por kjo nuk ofronte asgjë të re nga ideja konceptuale dhe për më tepër, dy mitingje të në të njëjtën kohë, me handikapin që tashmë Tirana nuk ka shesh të dytë, ishte e pamundur. Simbolika e Veriut dhe Jugut, me dy vatrat e shqiptarisë, ishte një ide që rezultoi fatlume dhe edhe nga përshëndetjet e pafundme që kemi marrë, duket se ia kemi dalë me sukses të kurorëzojmë me një grand finale këtë udhëtim.

Skënder Minxhozi – Zoti Rama, mbyllni këtë fushatë nga Vlora dhe Shkodra, dy qytetet që kanë pasur një orientim të ndryshëm politik në mënyrë të vazhdueshme. E keni vënë re një faktor të tillë në këtë udhëtim?

Edi Rama – Nëse nuk do të ketë surpriza të pakëndshme nga ana e pushtetit, në kuptimin e ndonjë eksesi të përdorimit të shtetit e ndonjë kërcitje që nuk e urojmë në dëm të procesit zgjedhor, ju siguroj që rezultatii Shkodrës do ju befasojë të gjithëve. Shkodra është përfshirë nga fryma e përgjithshme e dëshirës për ndryshim, era e rilindjes fryn fort edhe në Shkodër. Të gjitha mitingjet tona në sheshet e mëdha kanë pasur një entuziasëm të jashtëzakonshëm e të mos harrojmë që mitingjet tona janë safi me vendalinj. Ne nuk kemi import mitingjesh, një autobuz kemi dhe e dyta, ka një dallim të jashtëzakonshëm në kuptimin e entuziasmit që ka sheshi, që vlon një pasion të madh në shesh siç ishte sot në Shkodër edhe në Vlorë, e në Shkodër kjo s’ka ndodhur asnjëherë më parë, për aq sa unë mbaj mend.

Arjan Vasjari – Duke ju komplimentuar për fushatën, që besoj se është një resurs pozitiv në komunikimin pozitiv, ajo që dua të pyes është që ndërsa kishte imazh, kishte komunikim dhe festivitet, fushata nuk mund të fshehë dot atë Shqipërinë kaq të polarizuar, ku dita e zgjedhjeve ende nuk përceptohet si një rutinë demokratike. Kush është fajtori?

Edi Rama – Eshtë hija që vazhdon të ndjekë zgjedhjet në Shqipëri. Nëse të dielën nuk do të kemi probleme ose së paku nuk do të kemi problemi që të risjellin atë hije në sytë e njerëzve, besoj do të kapërcehet një ngërç shumë i madh. Ndërsa Shqipëria vazhdon ruan një gjendje polarizimi, duke gjykuar nga sondazhet, shohim një thyerje të rëndësishme të blloqeve dhe shpresojmë që këta ta tregojnë edhe rezultatet.

Skënder Minxhozi – Lëmë pas një fazë ku ritmi dhe frenezia ja lënë pjesën manaxhimit e administrimit të votës. Ju dhe lidera të opozitës keni bërë paralajmërime të forta për KQZ-në dhe mënyrën e administrimit të votës. Mbrëmë ju ishit shumë i ashpër me ministrin Noka për lirimin e disa të burgosurve në Durrës. Çfarë do i thoni zgjedhësve dhe shqiptarëve, tek pjesa që zgjon më shumë ankth tek ata, 48 orë përpara nisjes së numërimit?

Edi Rama – Jam shumë i kënaqur dhe mirënjohës për ata që kontribuan për realizimin e kësaj fushate të jashtëzakonshme të parë, dëgjuar dhe përjetuar nga publiku. Pas saj, në prapaskenë ka një anë tjetër që është ngrehina organizatave që nuk i kemi pasur asnjëherë më parë dhe nëse ju evidentoni që fushata ka qenë e bukur, ka qenë një projekt i realizuar në mënyrë gazsjellëse, në të njëjtën cilësi ka një organizim njerëzish për të realizuar dy gjëra. E para pjesëmarrje sa më të madhe dhe e dyta mbrojtje të plotë të votës. Tek mbrojtja e votës ne kemi vendosur në qendër zgjedhësin si individ, kemi këmbëngulur të gjithë dhe këmbëngulim dhe sot, 48 orë më parë, që çdo invidiv që ka vendosur të votojë për Rilindjen dhe për të ndalur rrënimin, të mos shkojë vetëm në kutinë e votimit, por me patjetër që të sigurohet që të bindë edhe dikë tjetër. Pastaj, më tutje ka një rrjet shumë të gjerë organizativ dhe një përgatitje, më e mira deri më sot, të njerëzve në komisione dhe numërues në lartësinë e detyrës, të predispozuar për të ruajtur integritetin e çdo vote, të çdo subjekti opozitar brenda dhe jashtë koalicionit, pa dyshim.

Arjan Vasjari – Në mënyrë të kuptueshme, edhe ju e ndieni këtë polarizim, por në qoftë se ju fitoni zgjedhjet, çfarë mendoni se duhet të bëni në mënyrë që të shëroni frakturat që elektorati shqiptar ka në aspektin elektoral?

Edi Rama – Unë besoj se Shqipëria ka vuajtur shumë nga vënia në shfrytëzim e dy ndasive të mëdha të së shkuarës. Shqipëria erdhi në fazën e lirisë duke mbartur në shpinë një ndasi të madhe, e 50 viteve ku lufta e klasave ndau ne dhe ata, e ajo veri-jug, që ka shkaqe historike e është ushqyer nga armiqtë e Shqipërisë. Po ta vini re, gjatë këtyre viteve, edhe pse ne jemi i vetmi vend që nuk trashëguam asnjë barrë ideologjike, as barrë etnike, as ndonjë barrë fetare në kuptimin e konflikteve të vërejtura në Ballkan pas viteve 1990, prapë mbetëm në një lloj stanjacioni në polarizim, pasi këto ndaësi u elaboruan dhe u hodhën në mes të arenës për të mbajtur gjallë një konflikt dhe për nxjerrë pushtet nga ky konflikt. Unë këto besoj që gjeneratori i ndasive është kryetari i Partisë Demokratike. Po ta shikoni këtë fushatë, të dyja këto ndasi u theksuan shumë fort, u theksua ndasia e etërive e bijve, që ka qenë formula e vjetër komuniste ku babai armik damkoste edhe të birin. E sidomos, dy javët e fundit nxorri krye në mënyrë të ulët dhe të pabesë, ndasia veri-jug, duke i thënë veriorëve e të ardhurve në Tiranë që për Ramën ju jenis shpellarë, etj, etj. Një gjë tjetër shumë e rrezikshme, për herë të parë në fushatë u përdor edhe feja, nga eksponentët më të lartë të Partisë Demokratike, duke bërë insinuata të drejtëpërdrejta, duke arritur deri në pikën e tmerrshme ku arriti kryetari i Bashkisë së Tiranës, që në një fjalim shkoi deri atje sa tha që Rama nuk i do muslimanët, ndërsa sot paradite, në disa vende kulti në Elbasan kanë qarkulluar trakte ndaj Ben Blushit, të nxitura nga një sekt pushteti në PD që rrotullohet rreth kryeministerit që shfrtytëzon të gjitha këto për pushtet. Unë jam sot këtu për të thënë që do të bëj gjithçka që të treja këto pika pika kyçe të dalin jashtë debatit dhe kufijve të arenës politike. Një nga arsyet pse e mbyllim me një simbolikë të fortë jug-veri është për të thënë që jemi një Shqipëri, ishte për t’i dhënë përgjigje në mënyrë qytetare, kësaj përpjekje të përbindshme për Shqipërinë, e cila nuk mund dot të vazhdojë kështu. Nuk mundet ky vend të ketë një kryeministër 70 vjeç, pasi s’bëhet fjalë për një De Gaulle apo Churchill, por për një dinosaur të një kohe të shkuar që s’ka më lidhje me këtë kohë.

Sokol Balla – Sot në Tiranë u regjistrua dalja juaj e parë përkrah Ilir Metës në këtë fushatë. Përse është vendosur për një fushatë të ndarë me të gjithë aleatët tuaj?

Edi Rama – Sot ishte dita për të bërë një apel të fundit, për pjesëmarrjen dhe për të garantuar suksesin, duke i angazhuar publikisht të gjithë përfaqësuesit tanë në të gjithë nivelet e administrimit që të jenë atje në mbrojtje të çdo vote dhe të drejtës së çdo zgjedhësi që vota të numërohet siç duhet. Ne kemi një sistem që kërkon maksimimizim e fuqisë së çdo forcë, pasi të gjitha votat vijnë në të njëjtin vend, ndaj pjesa e fushatës e bërë veç e veç është pjesë e një strategjie të qartë, e besoj se pala tjetër ka bërë të njëjtën gjë që imponon ky sistem zgjedhor.

Sokol Balla – Ka pasur zëra dhe informacione se në bazë ka pasur disa fërkime mes Partisë Socialiste dhe LSI-së. Përsa i përket aleancave paszgjedhore, si Meta dhe Berisha kanë mohuar mundësinë e një bashkëpunimi nëse përsëritet hipotetikisht një situatë e ngjashme zgjedhore me 2009-n, por sa realisht ka pasur incidente të vogla dhe a ka qenë e vështirë që të lihet e kaluara pas?

Edi Rama – S’ka qenë një fushë me lule, sigurisht, por ka qenë shumë më pak e vështirë nga sa prisnim pas një periudhe të gjatë ndarje dhe ka pasur shumë më tepër mirëkuptim nga sa mund të imagjinohej. Ju sigroj se nuk ka pasur probleme të ujrave të turbulluar mes palëve.

Skënder Minxhozi – A ka diçka që ju ka mbetur merak nga kjo fushatë, përshembull një debat i drejtëpërdrejtë me Berishën?

Edi Rama – Për këtë e besoj që jeni dëshmitar, se kërkova debat disa herë dhe kryetari i PD i është shmangur dhe e kuptoj se përse.  Normalisht, debat duhet të kishte, por nuk pati sepse kryetari i PD iu shmang debatit. Kjo është e mirëkuptueshme, ka qenë në këndvështrimin tim fushata më e vështirë dhe beteja më e pamundur për PD, pas tetë vjet në qeverisje, me një bilanc që unë e quaj skamjeje, në kushtet kur dështimet janë spektakolare dhe sukseset duhet t’i kërkosh vërtet me zemërgjerësi të madhe për t’i parë. E ka qenë një fushatë në ndjekje, në ndjekje të programit tonë, të organizimit tonë, të qasjes sonë ndaj gjërave, me ide ata kopiojnë, në konventë ata kopiojnë, ne kënd fjale, ata kopiuan. Kjo ishte fushata e vështirë e një partie të lodhur dhe kryemintri të rraskapur.

Sokol Balla – Megjithatë, mbase duhet t’i njihni një meritë kundërshtarit tuaj, që pavarëssht moshës, bëri një fushatë intensive dhe energjike.

Edi Rama – Me thënë të drejtën, mbasi kemi mbaruar mitingun e fundit, s’kam asnjë motivim të brendshëm të flas për kundërshtarët dhe besoj se më takon edhe mua paqja në raport me publikun, për të kërkuar deri në fund që njerëzit të shkojnë të votojnë për projektin e ri, për këtë shpresë të re që qartësisht ka lindur në një vend ku dukej se lodhja dhe zhgënjimi ishte aq i madh sa ishte pothuajse e pamundur të luhej me kartën e shpresës, e ku shumë zëra e sugjerime shtynin drejt kartës së frikës dhe përplasjes, karta e shpresës ka funksionuar e çdo njeri duhet të bëjë të vetën për të sjellë këtë rilindje. Përsëris thirrjen, që ditën e zgjedhjeve, merrni dikë me vete. Unë kam bindur dikë, e kam sjellë nga jashtë shtetit për të votuar, unë e kam bërë detrën time. Linda (bashkëshortja) e bëri të vetën, edhe Rea (e bija) e bëri të sajën, kështu që mbetet edhe Gregi (i biri) të bëjë të tijën, por do e bëjë edhe ai kam besim. Ta bëjmë këtë jo në funksion të mundjes së dikujt, por të shkojmë më tutje për të ndërtuar një Shqipëri që meritojmë të gjithë së bashku.

Sokol Balla – Në rast fitoreje, mazhoranca dhe qeveria e koalicionit të majtë do të jetë përballë institucioneve aktuale të shtetit. Si do jetë komunikimi me to?

Edi Rama – Koalicioni është i lidhur me boshtin PS dhe LSI dhe ne kemi një projekt strategjik me LSI dhe ne kemi vullnet politik për ta realizuar këtë projekt. Nga njëra anë do të kemi një mazhorancë qeverisëse dhe ato institucionet e kapura. Megjithatë ne do respektojmë kufijtë me institucionet e tjera dhe secili do ballafaqohet me publikun. Ne nuk do vazhdojmë traditën e sulmit ndaj institucioneve të tjera apo personave që i drejtojnë ato. Këtu harrojmë gjëra alarmante, Shqipëria sot nuk ka ujë. Pas 20 e kusur vitesh përsëri në fushatë uji është një temë qendrore. Të cojmë ujë në cdo parcelë dhe shtëpi është sfida jonë.

Skënder Minxhozi – Keni premtuar një shtet që do heqë taksat dhe do shtojë subvencionet, duke qenë se këto dy koncepte në thelb nga ana financiare bien ndesh me njëri-tjetrin, si do i përgjigjeni kritikëve që thonë se shteti juaj social kushton shumë?

Edi Rama – Heqja dhe ulja e taksave që ne parashikojmë ka një faturë sa gjysma e faturës së korrupsionit me naftën. Nëse përmirësojmë 50 përqind menaxhimin në sektorin e naftës kemi nxjerrë të gjitha paratë për të kompensuar këto lehtësime fiskale. Por nëse nisemi nga gjithë kostot e sotme të mungesës së shtetit dhe i shtojmë mbi kostot tona, kjo nuk mban. Por flasim për ngritje shteti dhe ulje të barrës për qytetarët. Të ketë më pak korrupsion, më pak evazion. Është një rrugëtim me dy shina, riformulimi i modelit ekonomik dhe ngritja e shtetit në këmbë.

Arjan Vasjari – Jeni për një mirëadministrim, por nuk flisni për rritje ekonomike…

Edi Rama – Sot shteti shqiptar është palë me qindra kontrata. Unë ju them me bindje që nuk respektohet nga ana e sipërmarrjes as 90 e sipërmarrjes. Nëse në ato kontrata ka besim reciprok, cështja është që në partneritetin publik-privat këtu është shkuar drejt grabitjes i janë dorëzuar privatit të drejta ekskluzive publike. Do bëjmë dy komisione në parlament që do merren me transparencën për gjithë procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave dhe gjithë procesin e privatizimeve dhe koncesionimeve të pasurive publike. Këto dy komisione do jenë të mbështetura nga agjenci ndërkombëtare të specializuara për këto probleme. Shqipëria është një vend që është në krizë me probleme, por ka gjithcka që i duhet për të dalë nga kriza në kuptimin e pasurive, ka një bukuri që sado që është dëmtuar është e rikuperueshme në shumë pjesë, ka një trashëgimi që është modeste në raport me Italinë, por është e mjaftueshme për të ngritur disa pika rreth rilindjes. Kemi mundësinë të hapemi më shumë me rajonin dhe ta sfidojmë Brukselin me projekte të reja, të jemi vendi i ideve të reja për një rilindje që duhet të shtrihet në gjithë rajonin.

Mesazhi i fundit elektoral i zotit Rama ishte: Cdo vepër fillon nga ëndrra, kush s’ka ëndërr s’ka vepër.

 ***

Topi: FRD, e pashqetesuar per kujt i prish pune politikisht. I sherbejme vetem shqiptareve

I ftuari i parë në studion e “Top-Story”, ishte vetë zoti Topi. Kryetari i nje force qe mund te beje diferencen sipas sondazheve, FRD-se, ish-Presidenti i Republikes u ndal ne nje parashtrim te gjere te programit dhe pritshmerive te tij ne keto zgjedhje.

Sokol Balla – Zoti Topi, mirësevini në këtë studio në ditën e fundit të fushatës, për të cilën duam një vlerësimin tuaj.

Bamir Topi – Ka qenë një fushatë shumë interesante në këndvështrimin tim, kam parë shumë kolegë dhe njerëz të impenjuar e kam pasur rastin të takoj shumë qytetarë. Kam dëgjuar dhe përceptuar shumë mbështetje për FRD-në dhe shpresoj që kjo lloj audience do të përkthehet në mbështetje me votë në datën 23.

Sokol Balla – Zoti Topi, riktheheni në fushatë pas 6 vitesh. Në fushatën e shkuar, ishit përkrah kryeministrit Berisha në kërkim të një kryebashkiaku të ri për Tiranën. Tani ktheheni në një fushatë kundër Berishës. A nuk bën jeta shaka të bukura?

Bamir Topi – Përgjithësisht, nuk niesem me motive për të qenë kundër, por për të ndjekur një rrugë alternative e jo për t’u kthyer në fushatë negativiste. FRD është një parti e re politike që ka grumbulluar shumë përvojë, institucionale e politike, me një program të detajuar dhe mbi bazën e mendimeve e përvojave të shumë ekspertëve që aderojnë në partinë tonë. Natyrisht që brenda fushatës ka pasur edhe vlerësime politike për qeverisjen, për mënyrën se si pushteti ka futur në dorë të gjithë shtetin, pasi në raportin politikë, parti, shtet, ne i japim përparësi shtetit sepse vetëm kështu i jepet fund tranzicionit të trazuara dhe të tejzgjatur politik në Shqipëri.

Sokol Balla – Pavarësisht sensit qytetar që i keni dhënë fushatës suaj, një prej incidenteve më të rënda ndodhi me kandidatin tuaj për deputet në Fier, i rrahur barbarisht gjatë ditëve të fushatës.

Bamir Topi –
Unë nuk dua të ngre një lidhje të shkurtër për të paragjykuar situatën, por ka qenë një akt i shëmtuar dhe besoj se nëse ka diçka që duhet të mbetet nga ai akt, ishte mjedisi kundërshtues që krijoi për cilindo që mendonte të tentonte të tensiononte më tej situatrën e klimës elektorale. Përsa i përket kësaj ngjarje besoj se drejtësia dhe institucionet, pas zgjedhjeve do të mbajnë qëndrimin e tyre.

Sokol Balla – Megjithatë, ky incident tregoi  se kjo fushatë nuk është jetike vetëm për ju. Këto zgjedhje janë padyshim jetike për socialistët, pasi një disfatë e re do të sillte një cikël të ri tepër të vështirë në opozitë, por edhe humbja për demokratët do të sillte një spirale riorganizimi. Por, sa të rëndësishme janë zgjedhjet për vendin?

Bamir Topi – Këto zgjedhje i shoh në funksion të Shqipërisë dhe jo të interesit të socialistëve e demokratëve apo partive të tjera. Tek e fundit, çdo parti politike sot dhe mbas dy ditësh do të garojë për pushtetin politik, por duke parë në retrospektikë se çfarë ka ndodhur, si janë ndërtuar ligjet, si është ndërtuar kushtetuta në funksion të rritjes së autoritetit, duke kaluar në autoritarizëm, ka sjellë një klimë mbytëse dhe aspak demokratike të partive politike e kjo transportohet në fushatë elektorale. Listat bëhen nga kryetarët e partive e besoj se është shumë e rëndësishme për të evidentuar që kemi një rënie në standartet e demokracisë, tek fryma që ekziston në partitë politike dhe transportiohet në mjedisin parlamentar. Gjithçka në këndvështrimin tim është bërë në dëm të shtetit dhe besoj se zgjedhjet do të jenë shumë të rëndësishume për të ardhmen e vendit. Kjo mazhorancë e nisi si mazhorancë me një shumicë të dobët dhe përfundoi si minorancë, duke huazuar deputetë nga ana e opozitës, duke treguar se për të nuk ka rëndësi ideali dhe investimet e njerëzve në këtë parti, por për këtë parti ka rëndësi vetëm pushteti. E lideri që është sot në maxhorancë, që i kanë mbetur edhe 2-3 ditë në politikë, vazhdon t’i interesojë më shumë karrigia e tij personale dhe aspak ideali e pikat e programit që i ka lënë në harresë.

Sokol Balla – Në kuadër të kësaj deklarate, të vjen në mendje se konflikti juaj i parë serioz me Berishën ndodhi kur u afrua në koalicion Lefter Xhuveli.

Bamir Topi – Nuk ka pasur të bëjë me ndjesi personale, pasi për mua parimet kanë qenë gjithmonë shumë të rëndësishme. Të bisedosh në një rrafsh parimor, të nisësh konfigurimin e një qeverie me një person që vinte nga nomenklatura e majtë, do të thotë që që nga dita e parë, filluan të tradhëtohen ato politika dhe ndjesi që i kishim ekspozuar së bashku.

Sokol Balla – Zoti Topi, flasim për zgjedhjet dhe infrastrukturën e tyre. Dalja jashtë loje e votimit dhe numërimit elektronik e makinave lexuese të kartave të identitetit, rikthen standartet në 2009-n. A do të jenë zgjedhjet të lira dhe të ndershme?

Bamir Topi – Së pari unë besoj tek portreti dhe profili i politikës i atyre që janë provuar se nuk janë në gjendje të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dështimi elektronikës është një dështim ekzemplar i asaj që ka për detyrë të administrojë zgjedhjet, me pak fjalë qeverisë. Më shumë se dështimi i teknologjisë dhe humbja e parave të investuara, ka humbur edhe kredibiliteti i kësaj qeverie për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme e kjo shton impenjimin e të gjithë njerëzve për të kundërshtuar këtë makinacion. Fatkeqësisht, KQZ nuk ka afruar asnjë garanci dhe këta persona që e drejtojnë KQZ-në kanë dëshmuar tipare të fanatikëve në favor të pushtetit.

Sokol Balla – Prishja e projektit për makineritë e leximit të kartave, për ju është një paaftësi apo diçka e qëllishme?

Bamir Topi – Në të dyja rastet është diçka ëshumë e rëndë sepse politika, shoqëria, por edhe partnerët ndërkombëtarë kanë diskutuar gjatë për pritshmërinë e këtyre zgjedhjeve dhe nëse gjërat dështojnë në këtë mënyrë, qoftë për paaftësi apo mënyrë të qëllimshme, pak ndryshon në këtë këndvështrim. Instritucioni më i rëndësishëm në demokraci është ai i zgjedhjeve dhe të gjitha institucionet e tjera vijnë e ndërtohen nëse ke zgjedhjet demokratike. Fakti që ne jemi ende në këtë fazë, e askush nuk e ka mendjen tek rezultati, por të gjithë mendojnë, thonë e paragjykojnë në do të jenë zgjedhje të ndershme, me interferenca apo manipulime. Pra gjithmonë shkon në mënyrë të dukshme paragjykimi për atë që ka ndodhur në të kaluarën. Edhe nëse ka paragjykim, nuk ka problem të ketë, sepse ai i impenjon palët qofshin ata që janë sot në mazhorancë apo opozitë. Mbi të gjitha, kjo lidhet me mesazhin që e kam thënë vazhdimisht, një parim jo vetëm inerci e bagazhit presidencial, që ne si FRD kemi një karakter fortë. Duke parë indiferentizmin e të shkuarës me gjysmën e popullsisë, ne kemi bërë thirrje dhe unë sot bëj thirrje nga kjo studio që njerëzit të dalin në votime, të shfrytëzojnë këtë instrument të mrekullueshëm të demokracisë, e sa më shumë të dalin, aq më shumë ata që mund të jenë recitivist në konsumimin e kësaj vepre të manipulimit, do të dalin jashtë mundësisë për të çuar zgjedhjet padrejtësisht në interes të tyre.

Sokol Balla – FRD, një parti e re e qëndrës së djathtë, që në të gjithë sondazhet evidentohet si një prej varrmihësve të mundshme të Partisë Demokratike. Mendoni se mund të etiketoheni si të tillë nga ish-përkraësit tuaj në Partinë Demokratike?

Bamir Topi – Në të gjithë profilin tim njerëzor dhe politik, duke u nisur qoftë nga një retrospektivë e profilit njerëzor, institucional e politik, unë nuk kam shfaqur asnjëherë tipare destruktive në funksion me një proces të caktuar. Ne jemi futur në garë pa patur parasysh kujt i prish pune, por me qëllim që të rregullojmë punët e Shqipërisë, që zgjedhjet e reja të kerën rastin e mundësinë që të çojnë në Parlament njerëz të moderuar, që të japin atij Parlamenti mundësi të mos jetë konfliktual, që të bëhet një debat politik racional e të miratojë ligje që do ta çojnë Shqipërinë në mënyë të padiskutueshme në BE.

Sokol Balla – Në këtë studio, keni thënë që pas zgjedhjeve nuk përjashtoni një riafrim me Partinë Demokratike pa Berishën dhe gjithashtu u shprehët në favor të rotacionit, diçka që e përsëritet edhe sot. Si mund mund të pretendoni që të bashkoheni me Partinë Demokratike, me një rotacion potencial që mund të ndodhë edhe prej fajit tuaj.

Bamir Topi – Parimi im kryesor është rotacioni, është një parim themelor i një demokracie funksionale që pushteti herë pas here ndryshon. Vetëm në vendet ku demokracia nuk është prezente, ku diktatura pavarësisht stadit është e instaluar, qytetarët nuk kanë shasne të gëzojnë rotacion. Në këtë studio kam thënë një shprehje të një personazhi që kam për zemër, Henry Kissinger (ish-Sekretar Amerikan i Shtetit), që tha askush nuk duhet të dëshpërohet në demokraci kur ndodh rotacioni. Opozita e sotme, potencialisht është një mazhorancë e së nesërmes, koha vazhdon, kalojnë katër vite, demonstrohet nëse ka qenë e suksesshme apo jo dhe provojesh sërisht përpara qytetarëve në votime. Unë, në çdo kohë dhe sidomos në kontekstin real, jam për rotacion. Unë besoj se shoqëria shqiptare sot ka domosdoshëmri për rotacion politik dhe nuk kam parasysh kush vjen e kush ikën, por ai Kuvend mund të ndërtohet në atë mënyrë që të frenohet dëshira për karrige kryeministrore, e të ndërtojë atë qeveri që nuk do të mendojë për fatin e individit, por për të ardhmen e qytetarëve shqiptare. Si ka mundësi që në Shqipëri, liderat kryesorë politikë kanë frikë nga debati e shpenzojnë miliona euro për flamuj?

Meta: Model të ri për legjislativin

Në pjesën e dytë në panelin e Top Story ishte kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Ai dha prioritetet e qeverisë së re në rast të fitores së të majtës në zgjedhjet e 23 qershorit, flet për herë të parë për një model të ri të legjislativit duke rikonfirmuar në një farë mënyrë edhe pozicionin e tij në mazhorancë, atë të Kryetarit të Kuvendit.

Sokol Balla – Zoti Meta mirëmbrëma. Si ndjeheni në finish të kësaj fushate? Ju në fakt keni zhvilluar një fushatë disi ndryshe nga dy forcat e mëdha.

Ilir Meta – Mirëmbrëma dhe faleminderit për ftesën që në këtë moment të fundit të komunikoj me teleshikuesit e Top Channel dhe Top Story dhe në këtë finale të kësaj fushate mund të them që jam shumë i kënaqur për angazhimin e jashtëzakonshëm të bashkëpuntërëve të mi, anëtarëve dhe simpatizantëve dhe për mesazhet që kemi punuar për të përcjellë tek qytetarët, mesazhe që kanë të bëjnë me të ardhmen e Shqipërisë pas 23 qershorit dhe standardet e zgjedhjeve të 23 qershorit. Vëmendja e ndërkombëtarëve është e jashtëzakonshme dhe jo e rastësisëshm sepse zgjedhjet kanë sjellë problematikë që se kanë ndihmuar vendin dhe është e domosdoshme që të gjithë të punojnë për të përcjellë frymë përgjegjshmërie për qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhje dhe për proces shembullor. Edhe kryeministri të japë kontributin që qytetarët tanë të votojnë të lirë të qetë.

Soko Balla – Në javën e fundit shikojmë se të gjtiha risitë aq të proklamuara nga Kodi Zgjedhor, numërimi elektronik dhe makinat e identifikimit të kartave janë të gjitha procese të dështuara. Po shkojmë në zgjedhjet e 2013 me standarde të njëjta në infrastrukturë si në 2009. Mgjth shoh opozitën jo aq të shqetësuar, përse?

Ili Meta – Standardet teknike të zgjedhjeve janë të rëndësishme dhe përmirësimi i tyre nuk përfundon kurrë. Nuk janë arritur disa objektiva të deklaruara si numërimi elektronik dhe të tjera, por zgjedhjet në vendin tonë janë problem i vullnetit politik për të krijuar mundësi shqiptarëve të votojnë të lirë, pa presion, pa qenë të detyruar të fotografojnë votat, as të bëjnë shenja, aq më tepër strukturat e shtetit të kërcënojnë zgjedhjet. Ftoj të gjithë t’i lëmë qytetarët të shkojnë të qetë në zgjedhje, t’i lëmë të thonë fjalën e tyre të qetë në numrat demokratike sepse nga arritja e standardit  do të fitojë Shqipëria, ashtu sikurse nga cënimi humbin të gjithë, humbje edhe për Berishën dhe PD.

Sokol Balla – Shpresoni apo besoni që kjo do ndodhë, sinjalet si janë?

Ilir Meta – Shpresojmë. Sinjalet nuk janë të mirë. Ndërhyrja në KQZ apo dhe trysnia ndaj votuesve dhe më vonë përpjekja e KQZ për të ushtruar kontroll pa arsye. Ne nuk shohim një garë të fortë në kuptimin e një gare të balancuar, pavarësisht se PD po bën të gjitha përpjekjet. Ne shohim një mazhorancë të fuqishme Aleancën për Shqipërinë Europiane. Kemi një diferencë bindëse dhe qetësi na jep se opozita në gjithë procesin e administrimit zgjedhor është prezente dhe në barazi të plotë, që nga numërimi dhe deri tek KZAZ-të. Në gjithë këtë mekanzëm administrimi opozita është aty e vendosur të përmbushë detyrimet e saj ligjore dhe të ruajë shenjtërinë e qytetarit shqiptar. Këto që kanë ndodhur nuk kanë qenë të mira, po kemi vëmendjen tek procesi dhe jo tek KQZ. Ta kthejmë këtë në një moment pozitiv për vendin.

Sokol Balla – Ju në këtë fushatë korrët një sukses të paprecende, afruat palët për të votuar 3 ligjet e integrimit që plus procesi zgjedhor na garantojnë statusin në fund të këtij vit. Fushata juaj në pjesën më të madhe ishte civile, ndryshe nga kampet kryesore, por në finish ju keni rritur dozën e gjuhës ndaj mazhoracës, përse?

Ilir Meta – Fushata jonë është konceptuar në mënyrë pozitive. Idetë tona se cfarë duhet bërë më mirë në vendin tonë. Beteja jonë ka qenë për një fushatë konstruktive dhe nëse ka patur rritje tonesh apo shqetësime, kanë qenë disa probleme në Qarkun e Kukësit dhe në zona të caktuara ku sot një drejtues i lartë i policisë ka dhënë dorëheqjen që do të thotë se Policia e Shtetit është nën presion dhe trysni.

Sokol Balla – Dalja e përbashkët me Ramën dhe përse sot?

Ilir Meta – Sot është dita e fundit për të bërë një falenderim për të gjithë opozitën dhe për një thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në këto zgjedhje si dhe për të shprehur garancinë dhe vendosmërinë tonë për të arritur standardin e zgjedhjeve.

Sokol Balla – Më shumë nisur nga e shkuara, njerëzit kanë qenë disi të hutuar, duan të dinë a është e garantuar ky ribashkim strategjik dhe aspak emocional i së majtës?

Ilir Meta – Paduskutim që po sepse vetë përcaktimi paraelektroal ka përcaktuar dhe koalicionin paszgjedhor. LSI do jetë në këtë koalicion edhe pas fitores së padiskutueshme dhe unë besoj që do arrijmë 80 mandate, por në respekt të demokracisë, në cdo rast do jemi në këtë koalicion.

Sokol Balla – Ka patur diversione nga Berisha, në këtë studio la të kuptohej se ju kishit shkelur marrëveshjen.

Ilir Meta – Historia asnjëherë nuk mund të përsëritet njësoj. Koalicioni me PD ka qenë i panatyrshëm në 2009 po i imponuar nga rrethana konkrete. Koalicioni me PS nuk ka qenë i lehtë por është një koalicion i natyrshëm po t’i referohemi historisë dhe përkatësisë së forcave politike si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Kjo është rrugë e gjatë, por e sukseshme.

Sokol Balla – Në rast fitoreje cfarë vizioni kanë të dyja partitë?

Ilir Meta – Besoj se parimet dhe synimet të këtij ndryshimi që duhet të realizohet përmes një qeverisje të re, fryme të re të bashkëpunimit dhe jo të përjashtimit, synojmë maksimizimin e energjive pozitive.

Sokol Balla – Do jeni nesër garanci ndaj sjelljes arrogante?

Ilir Meta – Garanci për të ndryshuar modelin e deritanishëm, që mendoj se është një model arrogant jo i hapur ndaj mediave, ndaj publikut dhe ndaj grupeve të interesit. Vendi ka vuajtur jo se nuk ka patur mazhorancë apo se s’ka patur opozitë, por se ky ka qenë një bashkëpunim konfliktual.

Sokol Balla – Që të realizohet ky kohezon social, është e rëndësishme që të ketë kohezion mes forcave që qeverisin, me c’kam parë programet e PS dhe LSI, i LSI është më praktik, më i fokusuar tek kostot më të lehta. Tek PS ka propozime të karaktëerit strategjik dhe të guximshëm, shëndetësia dhe byroja kombëtare e hetimit psh, dy risi por si do realizohen? Ka një bashkëpunim, ndonjë kohezion?

Ilir Meta – Ka një vullnet politik për të bashkëpunuar, për të respektuar votën e qytetarëve tanë që kërkojnë një qeverisjë më efektive, më transparente dhe më llograridhënëse. Ka shumë cështje që do duhet të fiksohen përfundimisht në një program qeverisës, por është e qartë se objektivat kryesore janë të përbashkët dhe përderisa ekziston vullneti….Problemet janë shumë të mëdha. Problem është vërfëria, shëndetësia dhe arsimi. Përqendrimi tek punësimi ndihmon në uljen e varfërisë.

Sokol Balla – Shumë bien dakort në një gjë, që kjo është qeveria më e pakontrolluar që mund të kemi patur në 2-3 legjislatura të fundit. Nuk kemi FMN. Qeveria e re e majtë do të sjellë në Shqipëri FMN apo do vazhdohet me politika me rritje të borxhit pasi kriza mund të na godasë më shpejt se c’e kemi menduar?

Ilir Meta – Nuk është problemi që qeveria aktuale ka patur një qasje arrogante ndaj FMN dhe BB. Qeveria aktuale ka patur një distancë të papranueshme ndaj biznesit, ndaj dhomave të tregtisë, ndaj shoqatave të ndryshme. Qeveria dhe sipërmarrjet duhet të mbështesin njëri-tjetrin për qëllime të përbashkëta.

Sokol Balla – Garant për qeverisjen është legjislativi. Nga sa flitet që legjislativi të marrë jetë më serioz, duket se karrigia e kryetarit të Kuvendit ju rri mirë kur flisni në këtë aspekt?

Ilir Meta – Kjo s’ka lidhje me profecinë tuaj, por me atë që ka nevojë vendi, për një forcë politike që përpiqet të përqëndrojë politikën e vendit tek zgjidhja e cështjeve më të rëndësishme. Unë jam krenar që arritëm të votojmë 3 ligjet e integrimit. Sigurisht ky votim nuk na jep statusin, sepse më 23 qershor është testi kryesor.

Sokol Balla – Nëse i qendrojmë profecisë time, Kuvendi do jetë një sallë bashkëpunimi, qendrimi juaj?

Ilir Meta – Qendrimi ynë nuk ka të bëjë vetëm me Kuvendin, por me krijimin e një standardi të ri komunikimi dhe të sjelljes politike dhe publike që e bën politikën më racionale dhe më efikase që ndihmon shqiptarët që të ecin më shpejt.

Sokol Balla – Pse duhet shqiptarët të votojnë Aleancën dhe specifikisht LSI?

Ilir Meta – Duhet të votojnë për Aleancën sepse vendi ka nevojë të ecë më shpejt, ka nevojë për një frymë të re të bashkëpunimit, për një qeverisje realiste që merret me përballimin e problemeve më imediate dhe konkrete që ka vendi për të ardhmen. Për LSI duhet të votojnë sepse është forcë politike që kujdeset për vendin, për njerëzit dhe që ndihmon që Shqipëria të ecë më shpejt.

Sokol Balla – Zoti Topi, a keni ju sot, dy ditë përpara zgjedhjeve, e natyrisht kjo do të ndihmojë votuesit të qartësohen për FRD, a keni përgjigje në do të bëni pjesë apo jo në një qeveri jo demokrate pas 23 qershorit?

Bamir Topi – Unë e kam pasur vazhdimisht këtë pyetje dhe i kam dhënë të gjitha përgjigjet e nevojshme. E rëndësishme është që FRD, jo për atë çka pritet të ndodhë, por për atë që ka ndodhur, është forca që ka treguar një karakter të fortë politik që në projektimin e koalicioneve paraelektorale, duke i qëndruar fort premtimit tonë për një kontratë reale me qytetarët, duke mos pranuar ofertat as majtas e as djathtas, duke provuar që edhe pse shifrat për të marrë një deputet janë më të vështira, kjo mendësi mbizotëron mbi çdo pazar të politikës. Kjo është prova, gjithçka tjetër lidhet fort me atë që FRD e ka në filozofi e në program e natyrisht nuk mund të bëjë aliazhe që nuk i shkojnë kësaj force.

Sokol Balla – Një përgjigje që shmang pyetjen.

Bamir Topi – Jo, kjo është një përgjigje që i ka të gjitha. Ne, së pari nuk mund të bëjmë asnjë kalkulim hipotetik, kemi datën 23. Të provohemi për atë që jemi dhe pastaj pas 23-shit, gjithçka ndërtohet në komunikim të drejtëpërdrejtë me qytetarët. Ne jemi partizanë të demokracisë direkte dhe i kam urryer ato takime të gjata pa fund, me 2-3 veta që kujtojnë se kanë të gjithë fuqinë për të dominuar e çuar këtë vend e shoqëri ku duan ata, me 30 kamera që i presin pas duke mos thënë asgjë e lënë të gjithë në ankth e në përfundim, presidentin e zgjedhin me 71 vota, ashtu si të gjithë institucionet e tjera me 71, ndërsa mazhorancat bazohen me blerje deputetësh. FRD nuk e ka këtë karakter.

Sokol Balla – Zoti Topi, ju thatë që do të prisni 23 qershorin për të kuptuar se cila do të jetë pjesa juaj në qeverisje, por ju a keni një projektim tuajin mbi peshën parlamentare që do të keni?

Bamir Topi – Unë besoj që nga kontaktet dhe përllogarijet tona do të kemi të formatuar një grup parlamentar. Sipas rregullores së re, që të funksionosh si i tillë duhet të kesh shtatë deputetë, në këndvështrim kjo është baza e nisjes dhe çfarë marrim më shumë është e mirëpritur.

Sokol Balla – FRD nuk i shpëtoi dot largimit nga imazhi juaj individual politik e një votues i zakonshëm sot, një votues gri, përveç Topit, mbase nuk e ka të qartë përse të votojë FRD-në.

Bamir Topi – Ai i FRD-së është një program i një partie të qëndrës së djathtë, i bazuar së pari tek nevoja e ndërtimit të demokracisë. E kam thënë që ne propozojmë një ristrukturim thelbësor, e  përpara se të futemi në programe ekonomike e sociale, kemi propozuar gjëra të rëndësishme mbi demokracinë e institucionet. Ne duam një sërë ndryshimesh kushtetuese, me Parlamentin që të shkojë me 100 vetë, që ndarja adminsitarive mos jetë kjo që është sot, me kaq shumë njësi që e bëjnë Shqipërinë si një periudhë e principatave të vogla e presidenti të zgjidhet direkt me votën e popullit. Ne duam që ky tranzicion, vërtet të marrë fund, por jo me fjalë dhe kjo merr fund kur zgjedhjet do të konsiderohen të lira e të ndershme, me Parlamentin që do të bëjë reforma dhe ndryshime. Kemi bërë një program që i shkon për shtat një ekonomie reale të tregut, për ne ka shumë rëndësi modeli në funksion të filozofisë së një partie të caktuar, por çdo model nuk duhet të bazohet në veprime korruptive. Ajo që ndodhi me raportin e fundit të “Freedom House” është problematike, pasi në 2005-n kritikuam me këto raporte qeverinë e korruptuar të Nanos dhe sot në 2013-n treguesit janë përkeqësuar. Jemi një forcë politike që e ndërtojmë shtetin mbi vlerat e demokracisë dhe luftës kundër korrupsionit në të gjithë nivelet.

Sokol Balla – Duket se pritshmëritë tuaja janë të larta, qoftë politike e parlamentare, por mentaliteti i ri i politiëks që reklamoni kërkoni që ju t’i përgjigjeni një pyetje, cila do të jetë e ardhmja juaj nëse nuk i kënaqni këto pritshmëri?

Bamir Topi – Unë jam njeri modest qoftë në jetë, qoftë në politikë dhe i gjithë impenjimi sot, kur rikthehesh nga presidenca për një mision politik, nuk bëhet brenda ditës. Ajo që jam totalisht i çliruar është ideja për të qenë këmbëngulës në një pozicion ku nuk je i suksesshëm, aq më shumë që i shkon filozofisë sonë që nuk jemi vetëm për rotacion politik, por edhe në pozicionet drejtuese të partisë e unë jam një njeri i hapur edhe me vepra konkrete, por na shoqëron gjithashtu optimizmi mbi bazën e asaj që konstatojmë në realitet, kjo shoqëri ka nevojë për një politikë e Parlament më të ekuilibruar dhe jo një politikë të bërë nga vetëm dy individë të vetëm.

Sokol Balla – Një mesazh, përse duhet të votojnë qytetarët 66?

Bamir Topi – Unë përpara se të them që duhet të votojnë FRD dhe 66. i bëj thirrje në cilësinë e një qytetari të lirë, të gjithë bashkëatdhetarëve të mi, pavarësisht nivelit kulturor, problemeve që kanë. nëse janë mirë me ekonomi apo keq, të votojnë të gjithë sepse është respekt për vendin e tyre, është një ditë unike kur të gjithë politikanët i nënshtrohen zgjedhësve për një votë e vendosin demokracinë në shina normale. Së dyti jemi në një garë elektorale, e i drejtohem votoni 66 dhe FRD, sepse për ne më e rëndësishme është kontrata me qytetarët dhe e ardhmja e Shqipërisë që duhet të ndryshojë në datën 23.

Top Channel