Në komisionin parlamentar për punët e brendshme, siguri dhe mbikëqyrje të FSK-së, nuk kanë ndonjë informatë zyrtare se për çfarë janë marrë vesh realisht kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç në lidhje me policinë, gjykatën dhe zgjedhjet lokale.

Kryetari i këtij komisioni, Ahmet Isufi, por edhe anëtarë të tjerë thanë se janë në pritje të informatave zyrtare. Në lidhje me paralajmërimin e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi se rreth 150 pjestarë të strukturave të sigurisë së Serbisë që veprojnë në veri të Kosovës do të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës, Isufi tha se do të ketë verifikim në momentin kur duhet të integrohen serbët të cilët do të jenë pjesë e administratës e qeverisë.

“Në momentin kur duhet të integrohen serbët të cilët do të jenë pjesë e administratës, e qeverisë, e angazhimeve institucionale do të bëhet edhe një verifikim në mënyrë që ata që kanë rënë ndesh me ligjin të jenë pjesë e veprimeve ligjore në Kosovë. Ndërsa ata që kanë qenë të manipuluar dhe kanë mundur të jenë pjesë e shtantazheve do të trajtohen në të ardhmen”, deklaroi Isufi.

Po ashtu, edhe deputeti i PDK-së dhe njëherësh anëtar i këtij komisioni, Fatmir Xhelili, tha se do të ketë verifikim të së kaluarës së këtyre pjestarëve.

“Besoj që do të fusim një numër të atyre pjesëtarëve pasi të bëjnë kërkesat për të hyrë në Policinë e Kosovës, pasi t’i kalojnë edukimet të cilat i parasheh policia jonë dhe normalisht pasi të kalojnë testin e verifikimit të së kaluarës së tyre, nëse ata kanë qenë apo jo të përfshirë në krime dhe aktivitete kriminale”, deklaroi Xhelili.

Por, ndryshe nga Isufi dhe Xhelili, deputeti i Vetëvendosjes që kundërshton marrëveshjen me Serbinë, Rexhep Selimi, theksoi se integrimi i pjesëtarëve të strukturave serbe të sigurisë në institucionet e Kosovës është i dëmshëm.

“100 apo 1000 policë të MUP-it brenda Policisë së Kosovës është thjesht mosshuarje e institucioneve paralele të sigurisë së Serbisë në Kosovë. Ata vetëm ndërrojnë mënyrën e këtyre institucioneve, por jo qëllimin, për shkak se qëllimi është kundër shtetit të Kosovës”, nënvizoi Selimi.

Këto komente u bënë pas mbledhjes së këtij komisioni, ku pas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit do të kërkohen informata shtesë nga Ministria e Brendshme në lidhje me trafikun e drogës, qënieve njerëzore dhe krimin e organizuar.

Top Channel