Gulnaz, afganja që u martua me përdhunuesin

21/06/2013 02:30

Ajo jeton në periferitë e Kabulit, në një lagje të re, emri i së cilës, nëse do të përkthehej, nënkupton “të lirë dhe të shtrenjtë”.

Ditët e saj, si shumica e shtëpiakeve afgane, janë të mbushura me gatime, bukë të thekura dhe kujdesin ndaj fëmijëve.

E megjithatë, Gulnaz nuk është një shtëpiake e zakonshme. Për një periudhë, ajo ishte një njeri i famshëm ndërkombëtar, një simbol i grave të përvuajtura afgane, disa vite pasi Perëndimi rrëzoi talebanët nga pushteti dhe premtoi transformimin e të drejtave të grave.

Hapat e saj drejt famës botërore nisën 3 vjet më parë, kur ajo u përdhunua dhunshëm nga burri i kushurirës së saj, në shtëpinë e familjes. Pas sulmit, Gulnaz kuptoi se kishte mbetur shtatzënë. Ajo shkoi në polici, por në vend që të merrte ndihmë, u arrestua dhe burgos për tradhëti bashkëshortore.

Situata e saj shkaktoi një protestë ndërkombëtare. Historia e saj u raportua në të gjithë botën. Edhe presidenti aktual, Hamid Karzai, lëshoi një falje të pakushtëzuar. Por, tashmë Gulnaz është bërë simbol i dështimit të Perëndimit në vazhdimin e reformimit të të drejtave të grave në Afganistan.

Pas 3 vjetësh jetesë në burg fillimisht e më pas në vendstrehimet e grave, ajo më në fund u përkul para presioneve të familjes së saj dhe shoqërisë, duke u martuar me personin që e përdhunoi.

“Nuk kisha ndonjë mundësi tjetër”, tha ajo. “Familja ime nuk më dëshironte, nuk kisha njeri tjetër pranë. Në fund, m’u desh ta bëja. Ai më turpëroi, por të paktën në këtë mënyrë, vajza ime do të ketë një baba”.

Në shtëpinë e re të saj në Kabul, ajo jeton tashmë me burrin e ri, Asadullah. Ai kaloi 2 vjet e gjysmë në burg, për përdhunim. Ajo ndan të njëjtën shtëpi me gruan e parë të tij dhe me 5 fëmijët e tyre.

Asadullah thotë se ndjen keqardhje për cfarë ka ndodhur. Por, ende refuzon të pranojë se e ka përdhunuar Gulnaz. “Ata thanë se unë e përdhunova atë, që e lidha me një litar e kështu me radhë. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Nuk kishte përdorim force”.

Atmosfera në shtëpi është e ngrirë, e acartë, dhe shkrihet disi vetëm nga prezenca e një fëmije 2 vjec e gjysmë dhe Muskan-it 1-vjecare, frut i përdhunimit. Asadullah e konsideron veten si palën e dëmtuar, i rënduar nga përgjegjësia ndaj një tjetër gruaje dhe një tjetër fëmije.
Historia bëri bujë teksa negociatat pritet të nisin me talebanët në Doha. Shumë veta frikësohen se disa nga përparimet e grave të bëra gjatë dekadës së fundit do të bëjnë një hap pas.

“Vija e madhe e kuqe, për të cilën njerëzit vazhdojnë të flasin, është se të gjithë përmendin Kushtetutën, por ajo që duan të thonë është ligji, që thotë se burrat dhe gratë janë të barabartë”, tha Heathr Barr, kërkues afgan për “Human Rights Watch”.

“Kjo është dicka e pamendueshme, që talebanët do të mund ta pranojnë. Mendoj se Karzai kërkon të shmangë këtë diskutim, këtë argument, në lidhje me se sa të angazhuar rrënjësisht do të jenë të drejtat e grave në Afganistan, tani dhe në të ardhmen”.

Top Channel