Autoritetet gjermane kanë thirrur për sqarime ambasadorin turk në Berlin, lidhur me një incident përsa i përket anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian.
Thirrja është bërë pasi ministri turk i Integrimit, Egemen Bagis akuzoi kancelaren gjermane Angela Merkel se ka përdorur çështjen e Turqisë në fushatë elektorale për rizgjedhjen e saj.
Më herët, Berlini zyrtar bllokoi planin për rifillimin e negociatave BE-Turqi, të planifikuara për javën e ardhshme.
Ndërsa ditën e hënë, zonja Merkel kritikoi ashpër Turqinë për reagimin e forcave të policisë ndaj protestave anti-qeveritare, duke thënë se: “Ndërhyrja e policisë ishte shumë e ashpër”.
Nga ana tjetër, zoti Bagis u kundërpërgjigj të enjten duke thënë: “Nëse Merkel kërkon material politik në prag të zgjedhjeve të shtatorit që do të mbahen në Gjermani, nuk duhet ta kërkojë atë tek Turqia”.
Ditën e premte, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Andreas Peschke deklaroi se kishte thirrur ambasadorin turk në Berlin, Huseyin Avni Karslioglu.
“Komentet e ministrit Bagis për kancelaren Merkel ishin të papranueshme”, deklaroi Peschke. Ai theksoi se negociatat BE-Turqi janë bllokuar për arsye teknike dhe jo për shkak të shqetësimeve të Berlinit për ndërhyrjen e policisë turke në protesta.
Top Channel