Vlora Çitaku, ministre për Integrimet Evropiane e Kosovës, ndonëse e nënshkruar si Vlora nga Prishtina, ka dërguar mesazhin e saj në kryeqytetin e Serbisë: “Kosova kurrë më nuk do të jetë pjesë e Serbisë”.
Ajo ka folur për vitet ’90 dhe ka thënë se, fakti që është ministrja e parë e qeverisë së Kosovës që arrin në Beograd tregon se proçesi i normalizimit të marrëdhënieve është në fillim e jo në fund.
“Shpresoj që gjenerata ime të jetë e fundit që është detyruar të ritet me frikën e Beogradit. Duke shëtitur mbrëmë rrugëve të Beogradit ndjeva se nuk duhej ta kisha frikë qytetin. Por, kaq vite të marrëdhënieve përmes uniformave, e bazuar në dhunë dhe presion nuk largohet lehtë. Ne duhet të ndalojmë të shohim njëri-tjetrin si armiq. Duhet të fillojmë të shohim njëri-tjetrin si fqinj”, ka deklaruar Çitaku.
Forumi për Marrëdhënie Ndëretnike ka thyer akullin e asaj që dukej e pamundur në episodet e luftës me fusnota, bojkote dhe vrapit me pengesa. Ata kanë thënë se nuk ka qenë e lehtë dhe është kërkuar shumë punë e bashkëpunim më të gjitha palët, por në fund ia kanë arritur.
Me Çitakun ka arritur në Beograd edhe Valdet Sadiku, ambasador i Kosovës në Kroaci dhe tani zyrtar ndërlidhës pas dorëheqjes së diplomatit të parë kosovar. Ata janë siguruar nga policët e Serbisë.
Analisti Dushan Janjiç ka vlerësuar se është koha për zbatimin e marrëveshjes. “Ky është një moment kur edhe Kosova edhe Serbia, e mbi të gjitha shqiptarët në Kosovë dhe serbët në Kosovë, marrin pak ajër, pak mundësi që minuset e tyre t’i shndërrojnë në plus. Të ndalojnë luftën për mbijetesë dhe përballje me humbjet dhe të përfitojnë për shoqëritë e tyre dhe vendeve tona”, ka thënë Janiç.
Çitaku gjatë vizitës në Beograd ka thënë se Kosova dhe Serbia nga BE-ja do të marrin merita aq sa kanë punuar. Ajo ka shprehur optimizëm për ecjen e vendit, por siç ka thënë, ndryshimet vijnë nga qytetarët.
Top Channel