Bursat, në ditën e tyre më të keqe sivjet

21/06/2013 00:30

Bursa e “Wall Street” ka shënuar ditën e saj më të keqe të këtij viti, të enjten, 1 ditë pasi kreu i Rezervës Federale, Ben Bernanke, shprehu shqetësimin e tij se Banka Qendrore mund të jetë duke u përgatitur të ulë ndjeshëm politikat e saj stimuluese gjatë këtij viti.

Mesatarja industriale e “Doë Jones” humbi 353 pikë, apo 2,3%. Kjo shënon rënien më të madhe ditore, që prej nëntorit 2011. Përfshi humbjet e së mërkurës, “Dow Jones” ka humbur më shumë se 550 pikë në këto 2 ditë.

Pavarësisht humbjeve ndëshkuese, “Dow Jones” ka parë ditë edhe më të errëta. Ajo pati rënie me 778 pikë në 29 shtator 2009, pasi Kongresi refuzoi një plan shpëtimi prej 700 miliardë dollarë, për industrinë e bankave.

Ndërsa bursa “S&P 500” pati rënie me 2,5% të enjten, duke shënuar gjithashtu humbjen më të madhe në përqindje, që prej nëntorit 2011. Ashtu si këto dy të parat, edhe “Nasdaq” pati një rënie me mbi 2,3%.

Disfata erdhi pasi Bernanke ofroi disa nga udhëzimet e tij eksplicite, se kur mund të nisë Banka Qendrore të tërheqë politikat e saj stimuluese.

Në varësi se si do të performojë ekonomia, Bernanke tha se FeD mund të nisë të zvogëlojë blerjen e borxheve në fund të këtij viti dhe t’i japë fund programit diku nga viti 2014.

Në të njëjtën kohë, ai tha se FeD mund të vazhdojë përpjekjet stimuluese, nëse ekonomia merr një kthesë negative.

Ndërkohë që kjo është, ajo që shumica e ekonomistëve kishin parashikuar, investitorët janë shfaqur të surprizuar, teksa kanë dëgjuar Bernanke të flasë me kaq detaje.

“Ai ofroi më shumë qartësi dhe transparencë, se sa mund të kishin pritur shumica”, tha Art Hogan, drejtor menaxherial i “Lazard Capital Markets”.

Top Channel