Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar largimin e kryeministrit Hashim Thaçi,
si dhe të qeverisë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës që përkrahin
“vendimet pro serbe” të tij.

Kryetari i grupit parlamentar të VV, Visar Ymeri ka deklaruar se shteti i Kosovës ka degraduar që në zanafillën e tij, por tani ky degradim është përshpejtuar me anë të marrëveshjeve që cënojnë rendin proçedurial të Kosovës.

“Tashmë ka filluar zbatimi i marrëveshjes së arritur me Serbinë, pavarësisht se ajo ende nuk është ratifikuar në Kuvend. Për gjithçka që do të bëhet në Kosovë po vendos shteti serb, pasi të gjitha veprimet po bëhen në dakordim me ta, përfshirë caktimin e datës së zgjedhjeve lokale”, ka thënë Ymeri në seancën parlamentare të së enjtes.

Dy ditë më parë ishte lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti që e quajti kryeministrin Thaçi një shërbëtor të zellshëm të aspiratave të Serbisë.

Në një konferencë për media, Kurti e cilësoi Thaçin si një politikan pro-serb, i cili nëpërmjet marrëveshjes së fundit rrezikon ta kthejë Kosovën nën Serbi. “Sovraniteti i Kosovës, me këtë marrëveshje, ka kapitulluar”, theksoi kryetari i Vetëvendosjes.

Kurti theksoi se, në kuadër të marrëveshjes asnjë shqiptar nuk do të mund të punojë më në veri të Kosovës, pasi rrjedhimisht etnia serbe po fiton një status të privilegjuar.

Më tej, numri 1 i këtij subjekti politik foli edhe për pasojat ekonomike të marrëveshjes, si rreziku për të humbur kontrollin mbi burimet natyrore, liqenin e Ujmanit dhe Trepçën.

Top Channel