Somali, OKB dënon sulmin “e neveritshëm”

20/06/2013 04:20

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka shprehur zemërimin e tij për sulmin “e neveritshëm” të islamikëve në një zyrë të Kombeve të Bashkuara në Somali, ku mbetën të vdekur 15 persona.

Ai theksoi gjithashtu se OKB “nuk do të dekurajohet për vazhdimin e mandatit të tij” në Somali, sic njoftoi zëdhënësi i tij.

Agresorët shpërthyen një autobombë jashtë zyrave të misionit të OKB-së në kryeqytetin Mogadishu, më pas nisën një betejë të ashpër me armë ndaj forcave të sigurisë. Grupi al-Shabab, i lidhur me al-Qaeda-n, mori më vonë përsipër përgjegjësinë e këtij sulmi.

Kjo është hera e parë që zyrat e OKB-së janë sulmuar, që prej rinisjes së misionit të tij në Somali. Ban ka qenë “thellësisht i shqetësuar dhe i zemëruar nga sulmi i neveritshëm” ndaj zyrës së Programit për Zhvillim të OKB-së, tha zëdhënësi i tij, Martin Nesirky.

Mësymja është dënuar edhe nga Këshilli i Sigurisë, me 15 anëtarë të OKB-së, që ritheksoi “vendosmërinë e tij për të luftuar të gjitha format e terrorizmit”.

I dërguari i OKB-së në Somali, Nicholas Kay, i cili u plagos në këtë sulm, tha për BBC se trupa ndërkombëtare do të vazhdojë misionin në ndihmë të zhvillimit të Somalisë dhe vendosjes së paqes atje.

Ai tha se Somalia “ka kthyer” pas disa dekadash konflikte, ndërsa sulmet e al-Shabab, si ai i të mërkurës, janë vetëm “veprime nga dëshpërimi”. “Në këtë moment, ne jemi të vendosur të vazhdojmë me misionin dhe jo të braktisim Somalinë”, tha ai.

Top Channel