Rusi, shpërthim në depon e municioneve

20/06/2013 00:00

Një seri shpërthimesh janë verifikuar në një depozitë armësh në Rusinë
qendrore. Bilanci provizor bën fjalë për një të vdekur dhe 50 të
plagosur.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri rus i Emergjencave, Vladimir Puchkov, sipas të cilit 6 mijë persona që jetonin në një rreze prej 5 kilometrash janë evakuar.

Një stok municionesh të vjetra kanë marrë flakë, duke i dhënë jetë një serie të pakontrolluar shpërthimesh në qytetin Çapajevsk, në rajonin Samara.

Shpërthimi i parë ndodhi natën mes së martës dhe së mërkurës dhe është pasuar nga shpërthime të tjera deri në mëngjesin e së enjtes.

Depozita mbante rreth 18 milionë municione, ka raportuar komisioni hetimor rajonal. Nga impakti i shpërthimit xhamat e dritareve të shtëpive në një rreze prej 5 kilometrash janë thyer.

Një person, punonjës i një kompanie për prodhimin e gazit, ka vdekur si pasojë e shpërthimit. “Rrethanat e vdekjes së tij janë ende të panjohura”, ka deklaruar zëdhënësja e ministrit të Emergjencave.

Ajo ka shtuar se të paktën 50 persona të tjerë janë dërguar në spital për kontroll mjekësor, 10 prej të cilëve janë shtruar për mjekim.

Top Channel