
Presidenti rus Vladimir Putin i është përgjigjur në distancë propozimit të homologut amerikan, Barack Obama për reduktimin e arsenaleve bërthamore përkatëse.
Në reagimin e tij, shefi i Kremlinit e ka cilësuar propozimin si jo serioz, për faktin se vjen në një moment kur Shtetet e Bashkuara po përpiqen të ngrenë mburojën anti-raketë.
“Rusia nuk mund t’i marrë seriozisht propozimet për çarmatim të bëra nga presidenti Obama, në një kohë kur SHBA po zhvillojnë sistemin e tyre të mburojës anti-raketë”, ka deklaruar Putin.
“Nuk mund të lejojmë që të prishet ekuilibri i sistemit strategjik, duke reduktuar efikasitetin e fuqisë sonë bërthamore”, ka sqaruar lideri rus.
Për këtë arsye, ka shtuar ai, krijimi i një sistemi mbrojtjeje hapësinore do të mbetet një nga sektorët kyç të zhvillimit të forcave të armatosura ruse.
Në fjalimin e një dite më parë në Portën e Brandenburgut, në Berlin, presidenti Obama propozoi reduktimin e një të tretës së arsenalit bërthamor amerikan dhe rus.
“Ne kemi ndërmend të punojmë me Rusinë për të ecur përtej imazhit bërthamor të Luftës së Ftohtë”, deklaroi Obama. Ai bëri gjithashtu thirrje për reduktimin e numrit të kokave të raketave të vendosura në Evropë.
“SHBA do të punojnë edhe me aleatët e tjerë të NATO-s për të kërkuar “reduktime drastike” në përdorimin e armëve taktike në Evropë”, theksoi Obama.
Top Channel