Kosova ka bërë përparime në çështjet e të drejtave të njeriut, por ende
mbetet shumë punë për të bërë, ka deklaruar të enjten në Prishtinë,
komisionerja e Lartë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të
Drejtat e Njeriut, Navi Pillay.

Këto komente, zyrtarja e lartë e OKB-së i ka bërë gjatë një konference  për gazetarë, në përmbyllje të vizitës së saj dyditëshe në Kosovë, ku ajo është takuar me presidenten Atifete Jahjaga dhe përfaqësues të autoriteteve më të larta të vendit dhe pranisë ndërkombëtare, për të diskutuar të drejtat e njeriut në Kosovë.

Pillay, bën të ditur “Europa e Lire” ka shfaqur shpresën e saj se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, do të jetë në funksion të përparimeve të nevojshme në fushën e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të rendit ligjor.

“Unë jam e inkurajuar nga marrëveshja e arritur së fundmi në Bruksel dhe vazhdimi pozitiv i dialogut me Beogradin, që ka lëvizur një hap më tej me shkëmbimin e zyrtarëve ndërlidhës të të dyja vendeve gjatë kësaj jave. Unë, gjithashtu, e mirëpres marrëveshjen, e cila synon të përmirësojë rendin e ligjin dhe të drejtat e njeriut për të gjithë banorët e veriut të Kosovës”, ka thënë Pillay.

Mirëpo, Pillay ka shprehur shqetësimin e saj me ligjin në procedurë që ka Qeveria e Kosovës për amnistinë, si pjesë e marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Është shumë e qartë se me ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe humanitare dhënia e amnistisë është shkelje e ligjeve ndërkombëtare, posaçërisht për krime shumë të rënda. Pra, këto janë standardet dhe nuk duhet të ketë amnisti të përgjithshme”, ka thënë zonja Pillay.

Top Channel