
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Ivica
Daçiç do të takohen të enjten në Bruksel në një darkë pune, ku pritet të
diskutojnë të gjitha temat për të cilat dy palët nuk kanë arritur të
bien dakord në takimet e grupeve të punës.
Sipas raportimeve të “RTK”, takimi në fjalë do nisë në orën 20 dhe do të jetë edhe një darkë pune mes dy kryeministrave, ku prezente do jetë baronesha Catherine Ashton, në rolin e ndërmjetëses.
Ndërkohë, temë diskutimi do të jenë çështjet e pazgjidhura sa i përket telekomit, energjetikës, emërimit të komandantit të policisë, si dhe ligjit për amnisti.
Në takim do të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi dhe koordinatori për bisedimet me Serbinë, Blerim Shala.
Një ditë më parë, në një intervistë për Top Channel, kryeministri Thaçi deklaroi se ajo sapo ka nisur të zbatohet në terren.
Ai shprehu besimin se dalëngadalë, qytetarët serbë të Kosovës, pavarësisht kundërshtimeve nga zërat në Beograd dhe Prishtinë, do t’i binden realitetit.
Ndërsa kryeministri Daçiç, i cituar nga mediat serbe, e vlerësoi takimin e sotëm si jetik, sepse nga ai varet e ardhmja evropiane e Serbisë.
Top Channel