Manjati kinez Wang blen prodhuesin e jahteve të 007

20/06/2013 03:10

Konglomerati i shit-blerjeve dhe hotelerisë, Dalian Wanda Group, me pronar Wang Jianlin, po shpenzon mbi 1 miliardë paund (1,6 mld dollarë) për blerjen e prodhuesit britanik të jahteve, Sunseeker, si dhe një hotel luksoz në Londër.

Blerja e Sunseeker, në vlerën e 320 milionë paundëve, do t’i japë firmës kineze 92% të aksioneve në kompaninë ikonë, e cila prodhoi jahte për filmat e James Bond.

Wang, një nga njerëzit më të pasur të kinës, duket se po kërkon të eksplorojë kërkesat për jahte luksozë në Kinë, si dhe në disa tregje të tjera në zhvillim. Ai ka bërë publike planet për ndërtimin e një hoteli me 5 yje dhe një kompleks apartamentesh në një nga vendet kryesore të Londrës, me pamje nga lumi Tamiz.

Vlera totale e projektit të “real-estate” përllogaritet afro 700 milionë paund, gjë që ka marrë edhe lejen e plotë për planifikimin e tij.

Dalian Wanda Group ka bërë emër në pronat komerciale kineze, hotele luksoze, karaokeve dhe një zinxhir dyqanesh. Si shumë firma të tjera kineze, ajo synon tashmë të zgjerojë prezencën e saj në arenën globale.

Kompania ka asete me vlerën e 300 miliardë Juan (48 mld dollarë) dhe të ardhura vjetore prej 142 miliardë Juan.

Sipas disa raportimeve, Wang kërkoi të blinte 30 jahte të Sunseeker për 3 marina të reja, por më pas vendosi të blinte të gjithë kompaninë. Vet kompania nuk ka bërë ende komente.

Top Channel