Kerry-Karzait: Ul tensionet ndaj talebanëve

20/06/2013 05:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka folur nëpërmjet telefonit me presidentin afgan, Hamid Karzai, duke i kërkuar të ulë tensionet, sipas një zëdhënësi afgan, i cili ka folur për BBC.

Washington-i dhe Kabuli kanë mosmarrëveshje në lidhje me një zyrë të re të talebanëve në Katar. Por, sipas BBC, Karzai mund t’i rikthehet bisedimeve mbi sigurinë me Shtetet e Bashkuara, të cilat u pezulluan prej hapjes së zyrës së re.

Karzai tha se hapja e zyrës së re, ra ndesh me garancitë amerikane për siguri ndaj qeverisë së tij.

Ambientet e talebanëve në Katar u hapën të martën, në të njëjtën ditë, kur NATO i dorëzoi sigurinë e Afganistanit qeverisë së këtij vendi, për herë të parë që kur talebanët u rrëzuan me forcë nga pushteti në 2001-shin.

Karzai tha në një deklaratë, gjatë së mërkurës, se zyra ishte “totalisht kontradiktore me garancitë, që u dhanë nga SHBA-të për Afganistanin”. Zyrtarët e tij thanë se ai kundërshtonte nxjerrjen e një flamuri talebanësh në ndërtesë, si dhe emrin e vendosur ndaj saj, “Emiratet Islamike të Afganistanit”.

Ai tha se negociatorët afganë do të qëndrojnë larg bisedimeve në Katar, deri sa “fuqitë e huaja” të lejojnë mbarëvajtjen e procesit të kryesuar nga afganët, si dhe larg bisedimeve për sigurinë me SHBA-të, në lidhje me prezencën e amerikanëve në Afganistan, pasi NATO të largohet në 2014-n.

Por, zëdhënësi i Karzai-t tha se Kerry kishte informuar afganët se zyra e talebanëve e ka hequr flamurin dhe se emri i ndërtesës, “Islamic Emirate of Afganistan”, do të zëvendësohet me “Byroja e Bisedimeve për Paqe”.

Top Channel