Dorëhiqet kryeministri palestinez

20/06/2013 23:50

Vetëm dy javë pas marrjes së postit, kryeministri palestinez Rami Hamdallah i ka ofruar dorëheqjen presidentit Mahmud Abaz.

Nuk është ende e qartë, nese kreu i Autoritetit Palestinez do ta pranojë dorëheqjen e akademikut, njëkohësisht politikan i pavarur, kabineti i të cilit u takua për herë të parë vetëm javën që shkoi.

Burime qeveritare i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se Hamdallah e mori këtë vendim të papritur për shkak të “mosmarrëveshjeve mbi fuqitë e tij”. Kabineti i 54-vjeçarit përbëhet kryesisht nga anëtarë të partisë së Abazit, Fatah, dhe analistët politikë e kishin ngritur që në fillim pyetjen se sa vend do t’i lihej realisht kryeministrit për të manovruar.

Paraardhësi i tij, Salam Fayad, ekonomist i arsimuar në Shtetet e Bashkuara, dha dorëheqjen në muajin prill pas 6 vitesh në pushtet të mbushura me sfida ekonomike dhe rivalitet me politikanët e Fatahut, gjithmonë të etur të marrin në dorë frerët e pushtetit.

Që prej konfliktit të vitit 2007 mes Fatahut laik, të mbështetur nga Perëndimi, dhe grupit islamik Hamas, palestinezët nuk kanë pasur më një parlament funksional apo zgjedhje kombëtare.

Abazi ushtron pushtetin e tij në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, ndërsa Hamasi, që fitoi zgjedhjet parlamentare të 2006-s, ka kryeministrin e tij në Rripin e Gazës.

Nëse dorëheqja e Hamdallahut pranohet, dëmi do të ishte i madh përderisa lidershipi palestinez është i zhytur në probleme financiare, ndërsa përpjekjet e kryesuara nga Shtetet e Bashkuara për ripërtëritjen e bisedimeve të paqes me Izraelin do të merrnin një goditje të fortë.

Top Channel