Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për trafikimin e qënieve
njerëzore gjatë vitit 2012, Kosova konsiderohet një vend burimi dhe
destinacioni për gratë dhe fëmijët, që shfrytëzohen për qëllime seksuale
apo punë të detyruar.

Ndër të tjera, raporti vëren se mungesa e regjimit të vizave për të huajt që vijnë në Kosovë e bën atë një vend tranzit të pambrojtur.

“Shumica e viktimave të trafikimit për qëllime seksuale janë femra nga Kosova, por edhe të tjera nga Moldavia, Sllovakia, Shqipëria, Serbia dhe Polonia gjithashtu janë përballur me ushtrim prostitucioni të detyruar në Kosovë”, thotë raporti.

Lidhur me angazhimin e organeve të rendit, raporti thotë se qeveria e Kosovës nuk përmbush dot as standartet minimale për eliminimin e trafikimit, ndonëse përpjekjet e saj kanë qenë të domethënëse.

Këtu përmendet Kodi i ri Penal dhe ai i Proçedurës Penale që kanë hyrë në fuqi këtë vit dhe që rrisin dënimet për autorët e trafikimit.

Raporti vë në dukje se gjyqësori ka zvogëluar numrin e çështjeve që presin zgjidhje, por qeveria në anën tjetër është treguar “e butë” ndaj autorëve, sepse nuk ka dënuar asnjë zyrtar të përfolur për bashkëpunim në trafik.

Ndër rekomandimet që i jepen Kosovës në raportin e Departamentit të Shtetit është inkurajimi për përpjekje më të fuqishme për të ndjekur penalisht, shpallur fajtor dhe dënuar autorët e trafikimit, përfshirë edhe zyrtarët; rritjen e trajnimeve specifike për prokurorët dhe gjyqësorin; sigurimin e mbrojtjes sociale për viktimat; si dhe shtimin e hetimeve për veprat penale të punës dhe lypjes së detyruar.

Top Channel