Brazil, paralajmërohen të tjera protesta

20/06/2013 00:00

Forcat e sigurisë në Brazil po përgatiten për t’u përballur me të tjera protesta të fuqishme dhe të dhunshme në qytetet më të mëdha të vendit.

Organizatorët e protestave dhe aktivistë paralajmëruan sërish daljen në sheshe për të protestuar kundër korrupsionit, rritjes së cmimeve dhe shpenzimeve marramendëse në infrastrukturën e Kupës së Botës dhe lojërave olimpike që do të mbahen përkatësisht në 2014 dhe 2016.

Protestat nisën si një pakënaqësi ndaj vendimit për rritjen e cmimit të biletave të transportit publik por shpejt u transformuan në pakënaqësi ndaj situatës së përgjithshme në vend.

Sipas një studimi mbi 80 përqind e protestuesve janë të rinj që nuk mbështesin asnjë forcë politike. 56 përqind e tyre protestojnë kundër rritjes së cmimeve, 40 përqind kundër korrupsionit, 31 përqind kundër rritjes së dhunës dhe kriminalitetit, 27 përqind për një sistem transporti më të mirë dhe 24 përqind kundër politikanëve.

Të vënë nën presionin e protestave masive dhjetra kryebashkiakë në gjithë vendin paralajmëruan rishikimin e vendimit për rritjen e cmimit të biletave në transportin publik, madje disa prej tyre e kanë anuluar atë.

Një ditë më parë, në Fortaleza, në veri-lindje të vendit mbi 30 mijë protestues u përleshën dhunshëm me forcat e sigurisë. Ata dogjën goma, thyen xhama makinash dhe dyqanesh, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome.

Dhjetra u raportuan të lënduar si në radhët e protestuesve ashtu edhe në radhët e policisë.

Top Channel