Afganët refuzojnë ofertat e talebanëve

20/06/2013 00:00

Autoritetet afgane kanë deklaruar se veprimet e deritanishme të talebanëve nuk mjaftojnë që të nisin bisedimet për paqen.

Ato kanë thënë se heqja e flamurit dhe pllakës emëruese nga Zyra e Talebanëve në Katar nuk është e mjaftueshme për të filluar proçesin.

Gjithashtu, negociatorët afganë thonë se nuk janë të kënaqur me deklaratat e guerrilasve. “Është një pozicionim i talebanëve të cilin ne nuk e duam”, tha për BBC Muhammed Ismael Qasemyar, një anëtar i Këshillit të Lartë të Paqes në Afganistan.

Komentet vijnë disa orë pasi sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry i kërkoi presidentit Karzai që të ulë tensionet. Ai i tha presidentit afgan se Zyra e Talebanëve në Katar po e hiqte flamurin dhe se emërtimi i saj si Emirati Islamik i Afganistanit do të zëvendësohej me titullin Zyra e Bisedimeve të Paqes.

Qasemyar tha se negociatorët kundërshtuan deklaratën e bërë nga talebanët kur zyra në fjalë u hap, që sugjeronte se do të kishte marrëdhënie me struktura të jashtme si OKB-ja.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare thonë se zyra në Katar do të thotë se talebanët nuk janë më vetëm një grup luftarak, por kanë edhe një krah politik.

Gjithësesi, kjo përplasje, që ka në qendër natyrën e saktë dhe kompetencat e kësaj zyre, është një tregues se sa i vështirë ky proçes bisedimesh do të jetë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB