Ende pa i bërë 3 ditë, që kur mori postin e Shefit të Misionit të Posaçëm të Kosovës në Serbi, Lulzim Peci ka dhënë dorëheqjen nga kjo pozitë.

Mediat në Prishtinë raportojnë se z. Peci i ka ofruar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dorëheqjen e parevokueshme nga shërbimi diplomatik i Republikës së Kosovës.

Siç raporton gazeta “Express”, Peci ka shkruar në arsyetimin e dorëheqjes: “Arsyeja e dorëheqjes sime është mospajtimi dhe kritika që më është bërë nga z. Hashim Thaçi, kryeministër i Republikës së Kosovës, në lidhje me deklaratën time në media se normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të bëhet, atëherë kur kjo e fundit do të njohë pavarësinë e vendit tonë”.

Lulzim Peci filloi punën në Beograd këtë të hënë, në pozitën e zyrtarit ndërlidhës, ndërsa në Prishtinë këtë detyrë e kryen Dejan Paviçeviç, i emëruari i qeverisë së Serbisë.

Top Channel